Mes dramës së azilkërkuesve shqiptarë
Një demokrat opozitar, një rilindas i zhgënjyer, një malësore prej zonave të thella të Malësisë së Madhe dhe një grua rome, ishin pjesë e bisedës në kampin e azilkërkuesve në Hesen, një nga landet e Gjermanisë. Të rrethuar nga një tufë fëmijësh, disa edhe të porsalindur, ato shprehin lirshëm çdo hall, hezitim, trishtim apo zhgënjim. Kampi i improvizuar, që kishte bllokuar gjysmën e një ambienti shkollor, ishte përshtatur duke akomoduar familjet me fëmijë, në klasat e mëdha dhe klasat më të vogla ishin shndërruar në dhoma të përbashkëta për beqarët.
Në oborrin e shkollës ishin vendosur kontenierë të mëdhenj, hapësira që shfrytëzoheshin për gatim, tualete dhe dushe të përbashkët. Përballë kontenierëve në oborrin e shkollës, ishin dy tabela të mëdha, që shërbenin për mësimin e gjuhës gjermane. Banorët e zonës i kishin ndihmuar me ndihma materiale dhe orendi shtëpiake për të përmirësuar sadopak ambientet ku jetonin. Fëmijët ndiqnin rregullisht shkollën, ndërsa prindërit, më saktë vetëm disa prej tyre përpiqeshin të kërkonin ndonjë punë, apo edhe të ofronin kontributin e tyre vullnetarisht në çfarëdolloj sektori.
Një burg i lirë
Situata ndryshonte tërësisht në kampin tjetër të zonës së Hesenit, në periferi të Frankfurtit. Ambientet e improvizuara në kontenierë, të ndarë në dhomëza të vogla, ngjanin më shumë me mjediset e një burgu, apo më saktë të një paraburgimi. Hapësira e dhomave nuk mundësonte një jetesë në kushte normale, sidomos për familjet me disa fëmijë. Mjediset e përbashkëta si qendrat e gatimit, tualetet apo dushet ishin në një gjendje higjienike të papërshtatshme. Sherret, grindjet dhe përplasjet e forta mes banorëve të kampit me origjinë nga vende të ndryshme, e bënin jetesën akoma edhe më të vështirë.
Në këtë kamp ndodheshin aktualisht disa familje shqiptare, nga Vlora, Dibra dhe Kukësi. Po në këtë kamp, kishin qëndruar edhe tre djem të moshës së re (22 vjeç- Vlorë, 25 vjeç- Vlorë dhe 22-vjeç Shkodër), por që kishin mundur të dilnin nga kampi dhe të merrnin një shtëpi të përbashkët, që paguhej përkohësisht nga qendra sociale. Të tre ishin të bindur se shumë shpejt autoritet gjermane do t’i kthenin në Shqipëri.
Në mbrojtje të kauzës
Por, kush ishin arsyet e largimit nga Shqipëria dhe ku bazoheshin kërkesat e tyre për azil politik në Gjermani ?
Ndonëse nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, (Shkodër, Elbasan, Durrës, Korçë) të gjithë i përmblidhte një fenomen, pamundësia ekonomike për të jetuar një jetë dinjitoze, brenda kushteve normale njerëzore. Në të gjitha familjet (4-5 persona/ kryesisht me arsim tetëvjeçar) vetëm njëri prej familjarëve punonte, herë me punë të pjesshme dhe herë me punë të plotë, por ankesat shkonin drejt faktit se rrogat i merrnin një herë në disa muaj, çka nuk i mundësonte një jetesë në kushte normale.
Por, përtej kategorizimit kryesor apo aspektit ekonomik, nën kategorizimet preknin të tjera problematika.
Familja nga Shkodra, pretendonte se ishte e përfshirë në një rast gjakmarrje. Nuk ishin të sigurt nëse, ky problem do të ishte i mjaftueshëm, që autoritetet gjermane të pranonin kërkesën e tyre për azil politik, por siguria që i kishte dhënë prifti i fshatit, iu dukej e mjaftueshme, që të shpresonin për më tej. Familjet e tjera, pretendonin për probleme të rënda me sektorin shëndetësor, çështje të pazgjidhura të pronësisë, dhe probleme ekonomike.
Ndërsa familja nga Korça, i përkiste komunitetit rom. Racizmi dhe diskriminimi ishin kryefjala e kauzës së tyre. Kryefamiljarja shpjegonte se përtej mjerimit ekonomik, ato ishin të detyruar të jetonin në një komunitet që i diskriminonte, i fyente dhe i paragjykonte si hajdutë duke mos përjashtuar në këtë trajtim diskriminues, as fëmijët e tyre në moshë të vogël.
Azil Politik vs. Azil Ekonomik
Drama shqiptare e azilkërkimit sigurisht që duhet parë në kontekstin e vështirë ekonomik të vendit, që detyron familjet apo pjesëtarë të tyre të largohen me shpresën për një jetë më të mirë. Por, një element që tërheq vëmendjen është fakti se, të gjithë personat e shprehur konfirmojnë se, largimi i tyre drejt Gjermanisë është bërë pas përhapjes së informacionit se, në Gjermani pranohen të gjithë azilkërkuesit. Element, që sigurisht krijon hapësirë për interpretim, duke ndërhyrë në sfera me natyrë të dyshimtë ligjore.
Nga ana tjetër, është për t’u theksuar fakti se asnjë nga personat azilkërkues nuk e kishte të qartë konceptin e azilit politik, apo kategorizimin e refugjatit, që është i detyruar të lërë vendin për arsye të luftës, persekutimit politik, për shkak të bindjeve apo opinioneve të tij politike, të persekutimit për shkak të kombësisë, racës apo fesë. Konceptimi, i tyre mbi azilin politik ishte i thjeshtë, duke menduar se çdo hall personal (ekonomik, shëndetësor, çështje pronësie, etj) është një arsye e vlefshme për të kërkuar azil politik.
Një tjetër element i vëzhguar lidhet me faktin se, ndonëse ishin azilkërkues me qëndrim të përkohshëm në territor, ishin më se të informuar mbi të drejtat e tyre, që lidheshin me shpërblimet dhe përfitimet financiare, duke i kërkuar ato me insistim të lartë pranë autoriteteve gjermane. Si p.sh. shpërblimin financiar, që lidhej me lindjen e një fëmije në territorin gjerman. Shpërblim, që kërkohej me vendosmëri pranë autoriteteve lokale. Një mënyrë e vepruari që has në një paradoks, kur krahasohet me informimin dhe kërkimin e të drejtave të tyre në territorin shqiptar.
Ky vëzhgim nuk mund të linte pa konstatuar edhe dy problematika të ndjeshme, siç janë transformimi në strukturën familjare për shkak të pamundësisë ekonomike, si edhe kultura e domosdoshme e planifikimit familjar.
Të tre djemtë e rinj, nga Vlora dhe Shkodra, ishin përfaqësues të një skeme klasike të transformimit familjar, ku ndonëse në një moshe të re, kur duhet të gëzojnë një jetë në kushte tërësisht normale, shndërrohen jashtë vullnetit të tyre, në shtyllat kryesore të mbështetjes dhe mbijetesës financiare të familjeve të tyre. Rasti më ekstrem, i përkiste djalit në moshë të re nga Shkodra (22 vjeç) ku për të siguruar mbijetesën ekonomike të familjes së tij të përbërë nga 5 anëtarë, kishte rezistuar përgjatë dy javëve në Gjermani, duke u ushqyer vetëm me 8 euro që i kishin ngelur në xhep, pasi pjesën e parave të fituara ia kishte dërguar me urgjencë familjes.
Reflektimi ndaj domosdoshmërisë për zhvillimin e kulturës së planifikimit familjar, shkon si ndaj strukturave sociale shtetërore, por edhe ndaj vetë familjes shqiptare. Kulturë planifikimi, që nuk duhet parë si kufizim i dëshirës për të lindur në numër të lartë, por si një aspekt i rëndësishëm jo vetëm për shëndetin psikosocial të nënës, të fëmijëve të tjerë, por edhe të gjithë familjes në tërësi. Pa neglizhuar në këtë drejtim as mirëqenien ekonomike apo statusin e nevojshëm ekonomik, që imponon ndërgjegjësimi në lidhje më këtë planifikim.
Gjithsesi, ndonëse aspekti ekonomik është i pakontestueshëm, reflektimet duhet të shkojnë edhe ndaj trajtimit të fenomeneve të tjera problematike që njeh vendi, si gjakmarrja dhe diskriminimi racor. Pavarësisht kauzës së drejtë apo të padrejtë, që ngrenë azilkërkues të ndryshëm, fenomeni i gjakmarrjes është prezent dhe kërkon trajtim sistematik nga autoritetet shtetërore, imponon rritje të besimit ndaj sundimit të ligjit dhe organeve të rendit, si edhe besim në sistemin e drejtësisë. Pa anashkaluar këtu, rolin e rëndësishëm të strukturave sociale, apo institucioneve të besimit fetar. Edhe diskriminimi racor është gjithashtu një fenomen që sfidon jo vetëm strukturat shtetërore, por edhe vetë shoqërinë me paragjykimet, që ajo mbart./l.k/
/gazetadita
FOTOGALERI: KAMPI I AZILKERKUESVE NE HESEN