Deklaratë e Aleancës LGBT dhe ProLGBT për progres raportin 2015
Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT dhe ProLGBT, dy organizata kryesore në fushën e mbrojtjes së të drejtave të komunitetit LGBTI përshëndesin punën e kryer nga BE për progres raportin e Shqipërisë.
Ne e kuptojmë që zhvillimet e Shqipërisë janë dinamike dhe problematika që kalon vendi ynë e që kërkon zgjidhje është e shumtë, por nga ana tjetër besojmë se hapësira kushtuar shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut kërkon një fjalor më të qartë dhe më të zëshëm në këto raporte.
Veçanërisht paragrafi që flet për të drejtat e komunitetit LGBTI është një paragraf me një gjuhë të përgjithshme që nuk i adreson plotësisht problemet por dhe mënyrën e zgjidhjeve të tyre.
Ne jemi në një mendje me raport progresin kur kërkon më shumë zbatueshmëri të ligjeve si dhe më shumë ndërgjegjësim publik dhe vizibilitet në lidhje me çështjet LGBTI por nga ana tjetër një konstatim i tillë kërkon të saktësohet më shumë: çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare, Parlamenti dhe si mund të fuqizohet bashkëpunimi mes shoqërisë civile dhe shtetit në këtë drejtim.
Gjithashtu kujtojmë që përmendja e hapjes së shelterit të parë rezidencial për LGBTI nuk duhet të shërbejë si një motiv për qeverinë për të gjetur justifikime para komunitetit të ndërkombëtarëve por duhet të shërbejë si një hapësirë ku shteti të kontribuojë me ekspertizën e vet ashtu edhe me mjete financiare për ta zhvilluar këtë shërbim, që në vetvete është një shërbim publik dhe jo privat.
Aleanca LGBT dhe ProLGBT janë të hapura të bashkëpunojnë edhe me shtetin dhe me institucionet europiane për të identifikuar më konkretisht fushat e domosdoshme për veprim për të garantuar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët.
/k.p./