Gjermania miraton Kartën e Identitetit për emigrantët
Ligji për Kartën e Identitetit të emigrantëve, i propozuar nga qeveria gjermane, ka marrë miratimin e Bundestagut. Azilkërkuesit në të ardhmen duhet të pajisen sapo të mbërrijnë, me një kartë identiteti.
Krahas të dhënave personale, në kartë do të memorizohen edhe gjurmët e gishtave, vendi i origjinës, numri i celularit, të dhëna për vaksinimin dhe informacione të tjera shëndetësore, të dhëna për shkollimin dhe përkatësia fetare.
Me këtë nismë, qeveria gjermane synon të zgjidhë njëkohësisht disa problem siç janë: Ndalimi i regjistrimeve të disa herë dhe shpërdorimi i identitetit; Të dhënat për kualifikimin profesional do të lehtësojnë integrimin në tregun e punës; Shkurtimi i kohëzgjatjes së procedurës së azilit etj.
Veç kësaj, Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët thotë se me Kartën e Identitetit, do ta ketë më të lehtë shpërndarjen e refugjatëve. Do të shënohet në kartë, vendi që i është caktuar azilkërkuesit të banojë.
Karta e azilkërkuesit do të jetë një detyrim për të gjithë, pasi në të kundërt emigrantët nuk do të kenë mundësi të marrin shërbimet sociale apo të nisin procedurat për azil.
/m.g
Burimi: Deutsche Welle