Sa e lehtë është të blesh një temë diplome në Shqipëri!
Punime të gatshme të diplomave gjenden nëpër fotokopje apo kancelari pranë universiteteve në Tiranë. Një investigim i Fiks Fare tregoi dje sa lehtë mund të blihet një temë diplome me çmime që variojnë nga 80 mijë lekë të vjetra deri në 300 euro.
Personat që i shesin këto diploma deklarojnë të bindur se sistemi i skanimit të punimeve për plagjaturë është inekzistent, pavarsisht pretendimeve nga ana e universiteteve.
Madje ka persona që kanë hapur portale dhe e kanë kthyer në biznes të mirëfilltë. Gjatë dialogut me gazetaren e emisionit Fiks Fare një përfaqësues i portalit “Matrix.al” thotë se ka blerë mbi 15.000 tema diplome të cilat i shet për një çmim nga 50 deri në 200 mijë lekë të vjetra.
Pak kohë më parë “Historia Ime” publikoi një artikull denoncues që dëshmon se sa lehtë mund të blihet një diplomë. Mjafton të kontaktosh me profilet abuzive që gjenden në facebook të cilat vazhdojnë punën të pashetësuara.
/l.k./