Maqedonia e fundit për respektimin e të drejtave ndaj komunitetit LGBT
Në një emision 10 minutësh kryetari i LGBT Junajted Tetovë, Bekim Asani deklaroi se komuniteti LGBT është më i diskriminuari në vend. Asani shton se qytetarët nuk janë mjaftueshëm të informuar për komunitetin LGBT dhe kjo shkon deri në dhunë ndaj kësaj kategorie.
“Shumica e popullatës e shohin komunitetit LGBT si një sëmundje, si një lëvizje e sjellë nga Amerika dhe Evropa. Por jo, komuniteti LGBT është pjesë e çdo shoqërie dhe civilizimi që nga krijimi i njerëzimit”, u shpreh Bekim Asani, Kryetar i LGBT Junajted, Tetovë.
Asani thekson se komuniteti LGBT ka humbur besimin tek institucionet dhe tek vendet ku mund të denoncohet dhuna.
“Dhuna është shumë e përhapur, është një prej problemeve kryesore dhe kyçe me të cilët ballafaqohet komunitetit LGBT. Dhuna fillon kryesisht në familje”, shtoi Asani.
Sipas raporteve të organizatave evropiane, Maqedonia gjendet në 5 vendet e fundit sa i përket respektimit të të drejtave të komunitetit LGBT. Ndërkaq në Ballkan Maqedonia gjendet në vendin e fundit për te drejtat e këtij komunitetit./A.A.