Me ligj mbretëreshë, me traditë robëreshë
Nuk janë të rralla rastet kur ligji nxirret nga trashëgimia e një populli a vendi.
Por, në Kosovë, ka një rast kur kjo e dyta po e pengon të parën.
Ato, sipas një kodi të fuqishëm shqiptar, nuk marrin kurrgjë nga hisja e babës, kur martohen e dalin nga shtëpia. E në shumë raste, as kur u vdes burri.
Ky adet i moçëm, që e ka burimin te Kanuni i Lekë Dukagjinit, po e sfidon ligjin që u njeh grave të drejtën e trashëgimisë, pasi thotë se gruaja shqiptare është tepricë dhe nuk ka të drejtë në gëzimin e pronës.
“Grueja shqiptare farë trashëgimit s’ka te grindja, as më plang, as në shpi, – kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi. Prindja s’mendon për pajë as për kurrnji send për vajzë të vet; qi e xen do t’i a bajt kujdesin. Prindja e djalit, qi e xun vajzën do të mendojn për gjith shka duhet për martesë të saj”
Kanuni bëhet edhe më i ashpër kur thotë që “në rast se trashëgimtari është femër, atëherë duhet të kërkohet mashkulli deri në shokën e 12-të, vetëm e vetëm që kjo pasuri të mos i jepet një gruaje”.
Kjo, po që e sfidon një ligj të butë, si atë për të drejtën në trashëgimi, që thotë se “fëmijët e lindur në martesë, jashtë martese apo të adoptuar gjatë ndarjes së pasurisë trashëgimtare trajtohen në mënyrë të barabartë pavarësisht gjinisë”.
Për pasojë, vajzat/gratë janë ato që po pësojnë në këtë përplasje mes të drejtës ligjore dhe asaj zakonore.
Sociologët janë të vetëdijshëm se aktualisht, praktikat sociale janë ato që po dominojnë.
“Të drejtat e grave mbeten një nga sfidat kryesore për zhvillimin e shoqërisë së Kosovës, në veçanti në lidhje me të drejtën e tyre për të trashëguar pronën dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë në ekonomi. Ligjet e Kosovës garantojnë të drejtat e barabarta për burrat dhe gratë në Kosovë, por ndikimi i kulturës, traditës, kushtet ekonomike dhe niveli i arsimimit kanë ndikuar kundër arritjes së barazisë së paraparë me ligj“, thotë Sibel Halimi, sociologe.
Pse nuk trashëgon asgjë femra shqiptare
Edhe në mekanizmat kryesore të shtetit, që janë përgjegjës për të garantuar barazi gjinore, e dinë se gratë, në shumicën e rasteve nuk e gëzojnë të drejtën e trashëgimisë familjare.
“Edhe pse legjislacioni ynë garanton të drejta të barabarta për burrat dhe gratë, pesha e traditës, mentalitetit, gjendja e dobët ekonomike, si dhe niveli i ulët i arsimimit, flasin kundër një barazie reale, një pabarazi e cila është edhe më e theksuar në zonat rurale të Kosovës”, thotë Edona Hajrullahu, udhëheqëse e Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të zyrës së Kryeministrit.
Ajo shtoi se kalimi i Kosovës nëpër disa sisteme shoqërore, dhe pushtimet e gjata kanë ndikuar edhe në konceptin e trashëgimisë dhe pronës në përgjithësi, prandaj “vajzat dhe gratë nuk kanë arritur të shkëputen nga ai mentalitet i imponuar”.
Sociologia Halimi tha se është për t’u habitur fakti se si, në shumë raste, në vend të vajzës a gruas, trashëgiminë e babait ose burrit e merr dikush që nuk është as djali e as vëlla i të ndjerit, por një i tretë, më i largët në lidhje gjaku.
“Në shumë familje shqiptare anembanë Kosovës (veçanërisht ato që janë të varfra ose nga zonat rurale), gratë nuk trashëgojnë pronë kur u vdesin baballarët ose burrat. Në shumicën e rasteve, në mungesë të vëllait ose djalit, prona i jepet mashkullit më të afërt të personit të ndjerë”, deklaroi ajo.
Sipas saj, të shpeshta janë edhe rastet kur vetë gratë, heqin dorë në mënyrë vullnetare, nga hisja familjare, duke ja lënë mundësinë që këtë pasuri ta gëzojë dikush tjetër.
“Pra, pjesëmarrës, kryesisht në këto raste janë njerëz të farefisit apo burrave me autoritet në komunitet. Akti i ndarjes së pasurisë mes vëllezërve, ka karakter solemn. Sipas trendeve të fundit, mbahet edhe procesverbal, në të cilin nënshkruhen të gjithë pjesëmarrësit. Si zakonisht, motrat, vullnetarisht, heqin dorë prej trashëgimisë së pasurisë”, tha Halimi.
Por, sipas Hajrullahut, diçka po bëhet në ndryshimin e kësaj dukurie të ngulitur thellë në kodin zakonor shqiptar.
Në disa nisma të marra nga Agjencia që ajo udhëheq, është vërejtur se gjenerata e re e grave ka një nivel më të lartë arsimimi dhe vetëdijësimi për trashëgimi, sesa gjenerata e vjetër.
“Në fillim të ketij viti Qeveria e Kosovës ka aprovuar Udhëzimin Administrativ, të cilin ABGJ e ka propozuar si masë afirmative për të stimuluar çiftet që pronën ta regjistrojnë si pronë të përbashkët. Ky udhëzim ka për synim të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në sjelljen e çifteve kundrejt pronës që krijohet përgjatë martesës”, bëri të ditur ajo.
Trashëgimia, sipas fesë
Të drejtat e femrave që ua njeh ligji për trashëgimi, është vetëm diçka që e ka bërë qysh moti feja muhamedane, thonë teologët islamë.
Madje, profesori Fitim Flugaj, në një intervistë për klankosova.tv këmbënguli që Sheriati, për sa i përket të drejtës së grave për pronë, i paraprinë të gjitha legjislacioneve të botës pasi që, pak a shumë, thotë se vajza e cila ka vetëm një vëlla, merr 50 për qind të trashëgimisë që ua lë babai.
Kështu përfiton edhe gruaja nga pasuria e burrit.
“Gjithashtu i jep të drejtën e shfrytëzimit të pronës së burrit, përderisa burri nuk ka të drejtë ta shfrytëzojë pasurinë e gruas, vetëm nëse gruaja shpreh dëshirë për një gjë të tillë, përndryshe pasuria e gruas qoftë ajo e fituar ose e trashëguar nga babai i saj i takon vetëm asaj dhe vetëm ajo ka të drejtë ta menaxhojë e shfrytezojë si don ajo. Kjo sa i përket fazës kur ajo është beqare dhe pasi të martohet, duke mos harruar dhuratat e detyruara që duhet t’ia ofroj burri para dhe gjatë martesës, të cilat bëhen pasuri e saj”, sqaroi Flugaj.
Të barabartë në trashëgimi të pronës e konsideron gruan edhe feja katolike.
Vikari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji tha për klankosova.tv se “krishtërimi e trajton femrën si qenie njerëzore në tri nivele, personale, familjare dhe shoqërore, dhe si të tillë ia njeh të gjitha të drejtat dhe liritë e barabarta me mashkullin”.
Ligji për Trashëgiminë i Kosovës është botuar në gazetën Zyrtare të Kosovës më 28 korrik 2004./A.A