Avokati i Popullit: Dëbimi i familjeve rome pa një proces të rregullt ligjor, në shkelje me detyrimet ndërkombëtare
Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar ndaj shpërnguljes së rreth 70 familjeve rome nga zona e bregut të lumit duke thënë se “dëbimi me forcë, është në shkelje me detyrimet ndërkombëtare”. Përfaqësuesja e Avokatit të Popullit, Etilda Gjonaj, ka theksuar se familjeve iu është lënë një afat prej 5 ditësh për të dalë nga banesat e tyre, ndërkohë që nuk kanë ende asnjë informacion se ku do të strehohen.
Sipas institucionit të Avokatit të Popullit, zhvendosja e këtyre familjeve romë po bëhet pa një proces të rregullt ligjor duke shkelur kështu të drejtat e tyre.
“Dëbimi me forcë pa një proces të rregullt ligjor dhe pa ofrimin e strehimit të përshtatshëm alternativ është në shkelje me detyrimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, gjë e cila është theksuar në mënyrë të herëpashershme edhe nga aktorët ndërkombëtarë”, theksoi Etilda Gjonaj, përfaqësuesja e Avokatit të Popullit.
Familjet rome që priten të zhvendosen, i kanë kërkuar bashkisë bërjen transparente të ndërhyrjeve dhe vendimmarrjeve nga ana e bashkisë së Tiranës që prekin dhe cënojnë jetën e këtij komuniteti. Gjithashtu kanë kërkuar zgjidhje alternative për ofrimin e strehimit, pasi mbulimi deri në 80% të shumës është kundërshtuar nga banorët. Një pjesë e tyre jetojnë në zonën e bregut të lumit prej më shumë se 20 vitesh dhe kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit për t’u pajisur me çertifikatë pronësie, ndaj ky vendim është cilësuar i padrejtë nga ana e banorëve. /m.g