Nga sot ndryshon Kodi i Punës, lista me 11 ndryshimet
Amendimet e reja në Kodin e Punës, të miratuara në dhjetor të vitit të kaluar kanë hyrë në fuqi. Periudha tranzitore prej 6 muajsh e lënë në dispozicion nga ligjvënësit për ndryshimet e Kodit të Punës ka mbaruar. Tani të gjitha marrëdhëniet mes punëdhënësit dhe punëmarrësve duhet të rregullohen në bazë të Kodit të ri. Ndyrshimet prekin fusha të rëndësishme si përcaktimi i lejes vjetore, leja e lindjes, arsimin profesional, shqetësimin seksual në vendin e punës etj.
Lista me 11 ndryshimet në Kodin e Punës:
- Çdo punëmarrës gëzon të drejtën për të marrë lejen vjetore, kjo leje nuk mund të zëvendësohet më me kompensim financiar.
- Për çdo gjashtë orë pune, punëdhënësit duhet të garantojnë një periudhë pushimi për punëmarrësin.
- Të dy prindërit mund të gëzojnë lejen e përkujdesit për fëmijën e sapolindur.
- Prindërit mund të marrin dyfishin e raportit mjekësor pushim, për fëmijët deri në moshën 6-vjeçare prindërit kanë të drejtë të marrin leje të papaguar jo më pak se katër muaj.
- Pas rikthimit në punë, 63 ditë pas lindjes së fëmijës, prindërit kanë të drejtë të marrin dy orë leje në ditë të paguar. Pra, mund të punojnë gjashtë orë dhe të paguhen për tetë orë.
- Kontratat e punës mund të bëhen vetëm me shkrim.
- Krijimi i agjencive të punësimit të përkohshëm, të cilat sigurojnë mbrojtje ligjore, për të gjithë personat që deri më sot kanë punuar të pambrojtur, si hidraulikët, elektricistët, pastrueset, babysitter-at apo punëtorët e ndërtimit.
- Në listën e ndryshimeve parashikohet edhe rregullimi i punës në distancë, ose të kryer nëpërmjet kompjuterit, duke i krijuar mundësi të reja, por edhe mbrojtje, veçanërisht të rinjve.
- Nxënësit e arsimit profesional që do të kryejnë praktikën mësimore pranë një subjekti do të paguhen.
- Përcaktimi i saktë i rasteve të “shqetësimit seksual” në vendin e punës.
- Ndryshime që synojnë ndalimin e diskriminimit në punë dhe në formimin profesional.
/l.k./