Funerali ‘i turpit’ të një vajze
Familja Çanaku në fshatin Kryekuq të Divjakës e ka patur të vështirë të hapë këtë të martë dyert e mortit për të përcjellë në banesën e fundit Jonidën, vajzën e vogël të shtëpisë, të ndarë nga jeta 3 ditë më parë.
Ka qënë e vështirë për familjarët të pranojnë lidhjen e vajzës së tyre me 65 vjeçarin Sokrat Shano, i cili ishte i dashuri dhe vrasësi i saj në fund. Të afërm tregojnë për Top Channel se familja ishte përpjekur vazhdimisht ta shkatërronte atë lidhje, por Jonida nuk pranonte. Historia e nisur para 3 vjet e gjysëm, e ka detyruar Jonidën të ndërpresë edhe fejesën me një djalë tjetër. Këtë herë, ajo kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes me Shanon, por ky i fundit nuk e ka pranuar ndarjen. Jashtë kamerave, banorë të fshatit Kryekuq të Divjakës, ku banonte vajza më e vogël e familjes Çanaku, fqinjë e të afërm thonë se nuk mund të marrin pjesë në ceremoninë mortore të saj. Vetëm 25 vetë e përcollën atë në banesën e saj të fundit. Por në fshatin përballë ndodhi krejt e kundërta. Në Krutjen e Sipërme, rreth 20 minuta larg Kryekuqit, dyert e mortit u hapën prej të hënës me familjen, gruan Margaritën dhe dy fëmijët e tyre, që pritën e përcollën njerëzit. Sokrat Shano u përcoll për në banesën e fundit nga dhjetëra miq e të afërm, banorë të fshatit, të cilët pavarësisht historisë, e përshkruajnë si njeri të ndershëm e një bamirës të fshatit, ndonëse kishin dëgjuar prej kohësh për lidhjen e tij me një vajzë të re. Sokrat Shano, vrau duke e mbytur 29 vjeçaren më 13 gusht. Para se t’i jepte fund edhe jetës së tij, ai la pas disa letra me adresa ku ndodhej trupi i pajetë i Jonidës, të cilën kishte zgjedhur ta vriste për të mos e lejuar që ajo të dilte nga jeta e tij./A.A.