Aktivistja e lëvizjes “Për Universitetin” spërkat me salcë ministren e arsimit në ditën e studentëve
Një nga aktivistet e lëvizjes studentore “Për Universitetin” spërkati me salcë ministren e arsimit Lindita Nikolla gjatë një takimi me të rinjtë e samitit studentor të FRESSH që po zhvillohej tek Piramida në Tiranë.
“Sot, në ditën ndërkombëtare të studentëve, aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin kryen një aksion simbolik kundër ministres së Arsimit Lindita Nikolla. E spërkatën me salcë duke i bërë për një moment atë çka ajo dhe qeveria shqiptare i kanë bërë jetës universitare publike prej kohësh: shprishjen”, thuhet në deklaratën e publikuar nga aktivistët.
“Sot mijëra maturantë meritorë janë ende pa të drejtën studimi dhe po aq kuota të paplotësuara ka në universitetet publike. Skema e regjistrimit të studentëve ka favorizuar haptas universitetet private kliente të qeverisë. Prandaj ne kemi kërkuar dhe kërkojmë dorëheqjen e ministres Nikolla”, vazhdon më tej deklarata.
Pas kësaj ngjarje aktivistja Mirela Ruko është shoqëruar në komisariatin Nr.1 në Tiranë, ku aktivistët të tjerë janë mbledhur për të kërkuar lirimin e saj, duke u bërë thirrje studentëve që të bashkohen.
https://www.facebook.com/651561178215203/photos/a.651605008210820.1073741828.651561178215203/1147414551963194/?type=3
/l.k./