Nis zbatimi i projektit pilot për futjen e edukatës fetare në shkolla
Që prej muajit janar, në shkollat e zgjedhura për projektin pilot, ka nisur integrimi i orëve fetare brenda lëndës së Edukatës Qytetare apo Qytetarisë. Projekti pilot i Ministrisë së Arsimit në do të zhvillohet në 10 shkolla në 5 qarqe të vendit – Tiranë, Vlorë, Elbasan, Lezhë dhe Shkodër, për klasat e gjashta dhe të dhjeta.
Në Tiranë janë përzgjedhur nxënësit e klasave të 6-ta të shkollës 9 vjeçare “Dora D’istria” të cilët kanë filluar të diskutojnë temat e para në lëndën qytetari..
BalkanWeb shkruan se mësimi do të zhvillohet në periudhën janar – qershor nën kujdesin e mësuesve të trajnuar për këtë lëndë dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane.
Mësuesja Anila Buza thotë se qëllimi i lëndës është që fëmijët të qëndrojnë larg informacioneve që përcjellin sjellje ekstreme fetare dhe mirëkuptimi, si të transmetohet dhe si do arrihet në shoqëri.
Mësuesja konkretizon edhe se si zhvillohet një orë mësimi.“Në një orë Qytetarie të klasës së 6-të, marrim pjesën e ushqimeve tradicionale, brenda kësaj ore nxënësit të cilët i përkasin komunitetve të ndryshme fetare do përzgjedhin elementë ushqimi që ata përdorin në ditët e festave fetare. Si brenda një familjeje mund të përshtaten në pjesëtarë që i përkasin riteve të ndryshme fetare respektimi i këtyre mënyrave të ndryshme të gatimit që sjellin elementë fetarë. Në vetvete mesazhi, që përcillet është respekti për fenë e gjithsecilit, mirëkuptimi dhe tolerancë kundrejt këndvështrimeve të ndryshme fetare që ka gjithsecili prej nesh”- përfundoi ajo.
Zyrtarisht ministria e arsimit ende nuk e ka konfirmuar nisjen e mësimit të edukatës fetare në klasat e 6 dhe të 10 të shkollave të përzgjedhura për projektin pilot.