“Baballarët suedezë” thyejnë mitin e grave shtëpiake
“Baballarët suedezë” quhet ekspozita e fotografit Johan Bavman e shfaqur sot në Tiranë. Ekspozita e organizuar nga Ambasada e Suedisë në Tiranë ka si qëllim të tregojë se sa e rëndësishme është për baballarët të përfshihen në rritjen e fëmijëve të tyre dhe se sa vlerë ka kjo përfshirje në marëdhënien baba- fëmijë.
Një qytetare e cila kishte ardhur të vizitonte ekspozitën së bashku me dy vajzat e saj të vogla tha për Historia-Ime: “Unë jam prind i dy vajzave dhe në raportet tona familjare babai është shumë i përkushtuar ndaj fëmijëve. Të gjithë këta baballarë nëpër fotot e ekpozitës, pashë që janë shumë të arrirë në karrierë, por kjo nuk i ka penguar të marrin lejen prindërore.”
Ndërsa një çift i fokusuar në fotot dhe përshkrimet ndanë me Historia Ime përshtypjet e tyre mbi ekspozitën.
“Nga ekspozita shihet qartë se realiteti në Suedi është shumë i përparuar, burrat angazhohen në jetën familjare po aq sa gratë dhe këto raste duhet të shërbejnë si model për mentalitetin këtu në Shqipëri”, tha një prej bashkëshortëve.
Ndërkohë bashkëshortja tregoi se ka hasur raste të burrave shqiptarë që marrin leje lindje: “Unë vetë jam mjeke, punoj në poliklinikë. Njoh plot raste kur burri është i siguruar dhe gruaja nuk është e siguruar në punë, atëhere burri merr lejen e lindjes. Por duke parë fotot nga ekspozita “Baballarët suedezë” më bën të kuptoj se jemi shumë larg nga Suedia”
Johan Bavman: “Ekspozita synon të promovojë barazinë gjinore”
Kjo ese fotografike është bazuar në portretet e baballarëve që i përkasin kësaj përqindjeje të vogël që zgjedhin të qëndrojnë në shtëpi me fëmijën e tyre për të paktën gjashtë muaj.
“Me këtë projekt, dua të zbuloj pse këta burra kanë zgjedhur të qëndrojnë në shtëpi shumë më gjatë se shumica e baballarëve suedezë. Çfarë ka bërë për ta, si kanë ndryshuar marrëdhëniet e tyre me partneren dhe fëmijën e tyre dhe çfarë pritshmërish kanë pasur ata para se të marrin lejen prindërore,”ka thënë Johan Bavman në përshkrimin që i ka bërë projektit në faqen e tij.
Fotogaleri nga ekspozita
Leja prindërore e “baballarëve suedezë”
Në vitin 1974, Suedia u bë i pari vend në botë që zëvendësoi lejen e lindjes së nënave me lejen e lindjes prindërore. Ajo ka një nga sistemet më bujare të lejes prindërore në botë.
Sistemi aktual mundëson që prindërit të qëndrojnë në shtëpi me fëmijën e tyre për një total prej 480 ditësh, ndërsa marrin një pagesë nga shteti. Nëntëdhjetë prej këtyre ditëve janë caktuar për çdo prind.
Qëllimi i kësaj ndarjeje është promovimi i barazisë gjinore. Në mënyrë që të inkurajohen burrat dhe gratë që të ndajnë lejen prindërore në mënyrë më të barabartë, është paraqitur edhe një i ashtuquajtur ‘shpërblim barazie’. Sa më shumë ditë të ndahen në mënyrë të barabartë ndërmjet prindërve, aq më i lartë është shpërblimi.
Përkundër këtij kompensimi bujar dhe bonusi unik, vetëm një pjesë e baballarëve të Suedisë i përdorin të gjitha ditët e pushimit prindëror. Vetëm katërmbëdhjetë për qind e prindërve zgjedhin ti ndajnë ditët në mënyrë të barabartë.
Leja prindërore e baballarëve shqiptarë:
Ndërkohë që legjislacioni shqiptar futi në fuqi lejen prindërore vitin 2015, ku leja e lindjes i takon çdo babai ose birësuesi të siguruar, pas periudhës 63 ditë pas lindjes së fëmijës, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron ose nuk ka kushte për ta përfituar nëna. Leja për baballarët zgjat derisa të plotësohet leja prej 365 ditësh që nëna ka marrë për barrëlindje, me kusht që burri të jetë i siguruar.
Për vitin 2017 kishte rreth 250 raste të lejeve të baballarëve, kryesisht në sektorin privat./K.M/A.A.