21 Marsi – Dita ndërkombëtare për eleminimin e diskriminimit racor

21 Marsi shënon Ditën Ndërkombëtare për eleminimin e dsikriminimt racor.
Kjo datë që observohet ndërkombëtarisht nga të gjithë shtetet e botës, synon që të nxisë dialogun për masat që duhen ndërmarrë nga shoqëria dhe institucionet e saj për eleminimin e diskriminimit të bazuar në përkatësinë racore.
Ditën e sotme, institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi organizoi një tryezë të rrumbullakët me aktorë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të komuniteteve rom dhe egjiptianë në vend. Në këtë tryezë u diskutuan gjetjet e raportit të institucionit për vitin 2018 dhe u përmendën dhe problematikat e vazhdueshme me të cilat anëtarë të komuniteteve në fjalë përballen përditë.
Diskriminimi institucional
Mungesa e aksesit në shërbime, mungesa e zbatimit të planeve të veprimit nga institucionet e qeverisjes vendore, diskriminimi institucional dhe segregimi, ishin vetëm disa nga problematikat e ngritura.
Institucionet arsimore në vend vijojnë të ndjekin praktika segreguese përsa i përket fëmijëve të komuniteteve rom dhe egjiptianë. Në zona me përqëndrim të madh të familjeve nga këto komunitete, fëmijëve nuk u mundësohet integrimi me pjesën tjetër të shoqërisë për shkak të ndarjeve nëpër klasa apo dhe vendosjes së tyre në klasa specifike.
Arsimi parashkollor mbetet në shumicën e rasteve një shërbim që nuk ofron qasje për fëmijët rom dhe egjiptianë. Për shkak të kapaciteteve të vogla, përparësi i jepet familjeve që nuk trajtohen me ndihmë ekonomike dhe që paguajnë tarifën e institucioneve, ndërsa në rastet kur këto fëmijë pranohen në institucionet parashkollore, ato mbahen me një orar të kufizuar, praktikë kjo që ndikon negativisht në përpjekjet për punësim për prindërit e tyre.
Tarifat e shkollimit dhe pajisjes me libra dhe materiale shkollore janë arsyeja kryesore e ndërprerjes së shkollimit pas arsimit të detyruar. Shumë fëmijë detyrohen të braktisin shkollën dhe për shkak të diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes, e cila haset rëndom në institucionet publike.
Raste të refuzimit të ofrimit të shërbimeve publike raportohen dhe në qendra shëndetësore, por në shumicën e rasteve, identifikimi i diskriminimit është i vështirë për shkak të mungesës së fakteve për ekzistencën e diskriminimit.
Shërbimet e munguara përpiqen të mbulohen nga organizatat e shoqërisë civile dhe nismat e ndërmara nga aktivistë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por angazhimi institucional në nivel qëndror dhe lokal mbetet ende i ulët. /k.j