Teatri Kombëtar, qeveria rinis punën për prishjen e godinës

Qeveria ka rinisur përpjekjet për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, për mbrojtjen e të cilit një grup aktorësh dhe aktivistësh po bëjnë rezistencë të përditshme në oborrin e tij.
Dy muaj pas miratimit në qeveri është publikuar më datë 3 qershor në Fletoren Zyrtare vendimi që autorizon ngritjen e një komisioni që do të vlerësojë negocimin e kontratës me palën private që do të ketë në objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar.
E kthyer në një nga çështjet më të debatuara që prej fillimit të vitit të shkuar dhe kundërshtuar fort nga shoqëria civile, projekti synon që të ngrejë nga e para një teatër të ri duke shembur godinën ekzistuese të TK. Vlen për t’u theksuar se ky vendim i botuar në fletoren zyrtare nuk ishte bërë publik nga qeveria, pasi në listën e VKM-ve të publikuara në datën 4 prill ky vendim nuk gjendet.
Përmbajtja e VKM-së
VKM nr. 352 e datës 4 Prill ka për qëllim krijimin e komisionit për realizimin e procedurave të vlerësimit dhe negocimit të kontratës me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, si dhe hartimin e kontratës me palën private të përzgjedhur.
VKM synon gjithashtu përcaktimin e kritereve kualifikuese e vlerësuese dhe dokumentacionin e kërkuar për përzgjedhjen e palës private që do të marrë përsipër realizimin e projektit të zhvillimit të zonës dhe të godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Kjo do të thotë se qeveria nuk është tërhequr nga projekti i Teatrit, por vetëm ka reflektuar kërkesën e bërë nga Bashkimi Evropian që procedura të ishte me një garë transparente, duke qenë se më herët një projektligj i ngjashëm sanksiononte se operatori privat ishte Fusha sh.p.k.
Debatet për ndërtimin e Teatrit me partner privat nisën në fillim të këtij viti 2018 kur artistëve ju prezantua plani i Teatrit të ri Kombëtar, por që pas tij do të ishin edhe të paktën katër kulla.
Përmasat publike që mori debati lidhur me Teatrin Kombëtar bënë që Kryeministri Edi Rama të deklaronte se nuk do të kishte kulla, por edhe nëse do të kishte kjo nuk ishte diçka e keqe. Projekti më i diskutuar ende nuk ka marrë fazën finale ndërkohë që do të jetë kontrata ajo që do të zbardhë mënyrën sesi është konceptuar gjithçka.
Reagimi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit
Pas njoftimit të VKM në Fletoren zyrtare, menjëherë reaguan dhe aktivistët dhe aktorët e Aleancës për mbrojtjen e Teatrit, të cilët po protestojnë prej 18 muajsh përditë për mbrojtjen e godinës historike të Teatrit Kombëtar.
Sipas deklaratës së tyre, me botimin e VKM-së për ngritjen e komisionit të negocimit sipas “ligjit special”, Edi Rama dhe Erion Veliaj i kanë shpallur luftën përfundimtare jo vetëm Teatrit Kombëtar dhe interesit publik, por Kushtetutës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.
“Nuk mjafton fakti që “ligj special”, i miratuar në fund të vitit të shkuar mbas dy refuzimesh nga ana e Presidentit dhe pas kritikave nga ana e Komisionit Evropian, është tërësisht anti-Kushtetues.
Nuk mjafton fakti që në VKM-në e botuar dje qeveria ka përfshirë paturpësisht të drejtën të për të shpronësuar prona të tjera private ngjitur me Teatrin, në përftim të një kompanie tjetër private.
Nuk mjafton fakti që VKM-ja duhet të ishte botuar në fund të dhjetorit 2018, duke e bërë tashmë të pavlefshme ngritjen e komisionit.
Ngritja e këtij komisioni teksa vendi mbetet pa Gjykatë Kushtetuese dhe krijimi i saj mbetet një nga prioritetet kryesore edhe në komunikimet e të gjithë vëzhguesve të brendshëm e të huaj, tregon edhe njëherë dëshirën patologjike që kanë çifti Rama-Veliaj për të grabitur çdo aset publik në këtë vend, sidomos tani që nuk i kontrollon dot kush! Projekti për Teatrin e ri ka qenë e mbetet një përpjekje për të grabitur në çdo mënyrë truallin publik, dhe privat, e për t’ua falur atë klientëve të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, duke shkelur çdo parim minimal të një shteti ligjor.”, shkruhet në njoftimin e Aleancës.
Njëkohësisht artistët paralajmërojnë përshkallëzim dhe shtimin e përpjekjeve për mbrojtjen e teatrit.
“Sot, jemi të bindur më shume se kurrë se kemi me vete të gjithë ata qytetarë që kanë kontribuar ditë për ditë në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Sot, jemi shumë më shumë seç ishim kur filloi kjo histori, e prandaj jemi të vendosur ta mbrojmë Teatrin deri në fund.
Historia do e gjykojë këtë ngjarje si fundin e një tirani grabitqar, i verbër deri në limite në dëshirat e tij për të grabitur çdo gjë të shenjtë në këtë vend. Por historia do gjykojë edhe ata që heshtën, ulën kokë, dhe u bënë palë me veprimet apo mosveprimet e tyre. Nuk është e largët dita kur termi “artist” nuk do mund të përdoret më nga ata të cilët nuk ishin një ditë në mbrojtje të djepit të artit shqiptar. Nuk do mund kush të flasë për interesin publik nëse nuk shpenzoi të paktën një pasdite në protestën më të gjatë të këtyre 30 viteve. Ngjarja e Teatrit sot është një moment përcaktues në historinë e Shqipërisë, ndërmjet atyre që këtë vend donin ta grabisnin dhe atyre që e mbrojtën.”
“Sot më shumë se kurrë jemi të bindur se ne dhe të gjithë miqtë që na kanë mbështetur jemi në anën e duhur të historisë!”. shënohet në mbyllje të njoftimit të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. /k.j