Stafi i “Historia Ime” mori pjesë në konferencën e parë rajonale të gazetarisë. Datat 1-3 tetor, mirëpritën në Sarajevë dhjetra gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut nga vendet e Ballkanit, Turqia, Hungaria etj.
Pjesëmarrësit prezantuan sfidat e punës së tyre të përditshme mbi gazetarinë, fjalën e lirë, advokimin e të drejtave të njeriut, korrupsionin dhe sesi oligarkia po minon demokracinë në Europën Juglindore.
Pjesë e ditëve të trajnimit qenë edhe profesionistë të tjerë, të cilët drejtuan workshop-et me tematika si; efikasiteti në raportimin e lajmit, etika në media, mbledhja e të dhënave dhe thellimi në shkrim, si dhe gjuha e urrejtjes.
Gjuha e urrejtjes, ishte një ndër sesionet ku mori pjesë stafi i “Historia Ime”, ku përveç bashkëndarjes së eksperiencave, u përvetësuan dhe teknika në evitimin e gjuhës së urrejtjes dhe pikasjen e mekanizmave për ta luftuar këtë të fundit në mediat televizive dhe online. Gjuha e urrejtjes është e pranishme nga artikujt dhe mediat e ndryshme, deri te fjalimet e politikanëve apo personave me impakt publik, çka ndikon në përkeqësimin e situatës në raport me të drejtat e njeriut dhe përpjekjet për zbutjen e diskriminimit me bazë gjinore, racore, ekonomike apo orientimin seksual.
Në fund të këtij sesioni u përmendën shembuj konkretë dhe u diskutua për mënyrat, sesi secili nga profesionistët pjesëmarrës vepronte në staf për t’i adresuar problematikat e këtij lloji, ku me rëndësi qe ankimimi pranë këshillit të medias, Komisioneri Kundër Diskriminimit, Avokati i Popullit dhe denoncimi për hapjen e çështjeve penale kundrejt përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes.
Konferenca e parë e këtij lloji e mbështetur nga Civil Rights Defenders dhe Ambasada Suedeze, pritet ta vazhdojë edhe në vitet e ardhshme këtë traditë, me qëllim fuqizimin e fjalës së lirë dhe punës së gazetarëve me interes të mirën publike.
Liri Kuçi
