Këmbëngulja e Francës, përkundrejt shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të Bashkimit europian, bëri që Këshilli Evropian të mos dalë me një vendim për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Për këtë temë vendet anëtare pritet të diskutojnë para samitit të Zagrebit, në maj të vitit të ardhshëm, por pa përcaktuar asgjë të qartë.
Presidenti i Këshillit Donald Tusk deklaroi pas takimit se “për fat të keq në Këshill nuk u arrit unanimiteti i kërkuar. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk kanë faj për këtë. Raporti i Komisionit ka qenë fare i qartë. Të dy vendet kanë kryer çfarë u kemi kërkuar. Pra të dy vendet kanë të drejtën të nisin bisedimet për anëtarësim që sot. Ato janë gati. Për fat të keq disa vende anëtare nuk janë ende gati”.
Në konferencën për shtyp pas përfundimit të Këshillit presidenti francez Emmanuel Macron, i cili praktikisht vuri veton, tha se njeh përparimin e bërë nga të dy vendet, por se ka ende disa gjëra që duhen zgjidhur. Ai i mëshoi idesë së tij për reformimin e procesit të bisedimeve për anëtarësim dhe zgjerimit, të cilin e cilësoi si një proces burokratik, ndërsa shtoi se “nëse ne nuk funksionojmë si duhet me 27 anëtarë, si mund të jemi më mirë me 28,29 apo 30”.
Presidenti i ri i Parlamentit evropian Davide Sassoli foli për një “zhgënjim të madh”. “Të dy vendeve dhe qytetarët e tyre kanë bërë përpjekje të mëdha për të përmbushur kushtet e vendosura. Kur dikujt i kërkohet të bëjë përpjekje të mëtejshme, është detyra jonë të mbajmë fjalën e dhënë.”
Ndërkohë në Twitter, Komisionari për Zgjerimin Johannes Hahn, shkroi se “përgjegjësia për këtë dështim nuk është e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që shpresuan më të drejtë për vendim pozitiv. Është BE-ja ajo që dështoi për shkak të problemeve të brendshme. Kjo do të dëmtojë besueshmërinë e BE-së jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor por edhe më gjerë”.
Në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Zaev thirri zgjedhjet e parakohshme, duke kërkuar sërish votëbesimin e qytetarëve të tij për të ecur përpara drejt rrugës së integrimit në BE, ndërkohë që në Tiranë kryeministri Rama u zotua se reformat do të vijojnë, për të mirën e vendit dhe për t’i shërbyer njëkohësisht dhe procesit të integrimit.
Vendimi i marrë dhe vetoja e Francës dhe Danimarkës e Holandës për Shqipërinë është kritikuar nga figura të shumta dhe krerë të lartë të politikës. Në muajt në vazhdim pritet një sqarim i mëtejshëm i një vendimmarrjeje të mundshme për vendet tona, e se kur mund të caktohet data për këtë vendimmarrje, por me shumë mundësi, rasti më I afërt I diskutimit të procesit të negociatave do të jetë samiti i Zagrebit në Maj të vitit të ardhshëm.