Fushata e BE kundër ndotjes plastike në Shqipëri: Sot për Mjedisin

Sot, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri çeli fushatën për të rritur ndërgjegjësimin mbi ndotjen plastike dhe për të inkurajuar alternativa ndaj plastikës me një përdorim. Nën sloganin “Plastika nuk le vend për jetën”’, fushata dymujore do t’i informojë qytetarët për mbrojtjen e mjedisit përmes videove, infografikëve, shfaqjeve të filmave dhe debateve.
Aktiviteti prezantues i drejtuar nga Ambasadori i BE-së Luigi Soreca u zhvillua në Muzeun e Shkencave të Natyrës “Sabiha Kasimati”, me pjesëmarrjen e Ministrit të Mjedisit të Shqipërisë Blendi Klosi, Ambasadorit austriak Christian Steiner, Ambasadorit gjerman Peter Zingraf, Ambasadores suedeze Elsa Håstad, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe vullnetarëve.
Në fjalën e hyrjes, Ambasadori i BE-së Luigi Soreca tha: ”Plastika është bërë një nga sfidat më të ngutshme mjedisore dhe shëndetësore të epokës sonë. Bashkimi Evropian ka miratuar rregulla të reja për të ndaluar objektet plastike me një përdorim që prej vitit 2021 dhe shqiptarët duhet të përfitojnë nga i njëjti nivel i mbrojtjes mjedisore. BE-ja po punon me Shtetet Anëtare për të përmirësuar mirëqenien, jetën e përditshme dhe mundësitë për shqiptarët. Sepse ata e meritojnë dhe sepse e afron edhe më shumë vendin me standardet e BE-së”.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi tha: “Shqipëria është e vogël për të ndikuar në luftën globale kundër plastikës por ajo duhet të bëjë veprimet e saj. Fushata do të shënojnë suksesin e saj kur edhe vetë qytetarët të refuzojnë përdorimin e qeseve plastike.“
BE-ja do ta ndihmojë Shqipërinë të shkojë drejt një ekonomie qarkore, me Programin mbi Ekonominë Qarkore dhe Rritjen e Gjelbër duke filluar nga viti 2020. Ajo do të mbështesë 15 bashki që të arrijnë standardet e BE-së në menaxhimin e mbetjeve bashkiake, si dhe do ta nxisë ekonominë qarkore përmes granteve për biznesin eko-miqësor dhe shoqërinë civile.
Si pjesë e fushatës ”Sot për Mjedisin”, Delegacioni i BE-së prezantoi videon e parë të fushatës duke theksuar efektet negative të plastikës në mjedis dhe shëndet.
Aktivitetet e ardhshme
Delegacioni i BE-së do të nxjerrë gjashtë infografikë dhe një video të dytë që trajton çështjen e veprimeve individuale që kontribuojnë për reduktimin e mbetjeve plastike dhe mbeturinave. Kjo do të pasohet nga një sfidë e medieve sociale që do të paraqesë individë dhe institucione që po e reduktojnë përdorimin e plastikës dhe po veprojnë për një mjedis më të pastër.
Përgjatë nëntorit dhe dhjetorit 2019, do të zhvillohen debate në Tiranë, Vlorë dhe Divjake, duke trajtuar ndikimin e ndotjes plastike, mbrojtjen e mjedisit detar dhe ndryshimin klimatik. Fushata do të përfshijë një panair mjedisor në Shtëpinë e Evropës, në Tiranë, më 12 dhjetor, ku qytetarët mund të mësojnë për punën e organizatave shqiptare të mjedisit, si dhe për projektet e BE-së dhe Shteteve Anëtare që mbrojnë mjedisin.
Gjithashtu, në Shtëpinë e Evropës do të organizohen dy shfaqje filmash në lidhje me çështjet e mjedisit. Në të gjithë vendin, disa aktivitete në terren në shkolla do të rrisin ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.