Pandemia e COVID-19 është duke shkaktuar një efekt të shpejtë në lirinë e mediave në Bashkimin Europian, sipas një hulumtimi të ri të botuar sot nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI).
Artikulli mbi Shkeljet e Lirisë së Mediave në BE nën COVID-19, tregon se si në një hapësirë të shkurtër kohe, disa shtete kanë zbatuar ligje dhe kufizime që sfidojnë aftësinë e gazetarëve për të informuar publikun dhe për t’i mbajtur ata të informuar mbi llogaridhënien e figurave dhe institucioneve publike. Hulumtimi, i cili përfshin si vendet anëtare të BE-së, ashtu dhe vendet kandidate, nxjerr në pah katër tema të gjera:
- masat jo-proporcionale të urgjencës, në veçanti rregullimi i tepërt kundër dezinformimit,
- kufizimet në qasjen në informacion,
- sulme verbale dhe fizike që rrezikojnë sigurinë e gazetarëve, dhe
- mbikëqyrjen dhe kërcënimet e privatësisë.
Analizat tregojnë se shumë prej shkeljeve më serioze janë në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku disa qeveri kanë një rekord të dobët në mbrojtjen e lirisë së mediave dhe rrezikojnë të përdorin pandeminë dhe gjendjen e emergjencës për të forcuar kontrollin e tyre mbi rrjedhën e informacionit.
Siç pritej, shkeljet më të rënda kanë ndodhur në shtetet ku tashmë prej disa kohësh janë duke u zhvilluar goditjet ndaj lirisë së shtypit, të tilla si Hungaria, Serbia dhe Turqia. Sidoqoftë, shtete të tjera kanë parë edhe kufizime për gazetarët, qoftë përmes kufizimit të qasjes në informacion apo rritjes së sulmeve verbale e fizike ndaj tyre.
Të dhënat e studimit u ndanë sot me mediat nga Věra Jourová, Zëvëndës-kryetare e Komisionit Evropian për vlerat dhe transparencën.
Shtetet e Bashkimit Europian
Hungari
Më 30 Mars, parlamenti hungarez miratoi legjislacionin për dhënien e kompetencave të zgjeruara Kryeministrit Viktor Orbán duke përfshirë kompetencat e reja për të sunduar pafundësisht me dekret.
Ligji i ri penalizon gjithashtu përhapjen e informacionit “të rremë” ose “të shtrembëruar” që minon luftën e autoriteteve kundër COVID-19 me gjobë dhe deri në pesë vjet burg. Ligji u kritikua ashpër nga grupet e lirisë së shtypit, të cilët thanë se ai paraqet një hap drejt kontrollit të plotë të informacionit dhe shtypjes së mëtejshme të lirisë së shtypit në vend.
Bullgari
Në Bullgari, qeveria përdori dekretin e gjendjes së jashtëzakonshme për të propozuar ndryshimin e kodit penal dhe sanksionimin e dënimeve me burg për përhapjen e atyre që konsiderohen “lajme të rreme” me një deri në tre vjet burg ose gjobë deri në 5000€.
Pas vetos nga Presidenti mbi ndryshimet e propozuara, një projekt-ligj tjetër u paraqit në parlament nga një parti në koalicionin qeverisës më 19 prill, i cili nëse miratohej, do t’u jepte autoriteteve autorizime më të mëdha për të pezulluar faqet e internetit për shpërndarjen e “dezinformatave” dhe zgjerimin e fushëveprimi të ligjit shumë përtej krizës së tanishme shëndetësore.
Qeveria gjithashtu dyfishoi sasinë e kohës që u nevojitet organeve publike që t’u përgjigjen kërkesave për marrjen e informacionit publik nga 30 në 60 ditë.
Forcave policore u është dhënë autoriteti për të aksesuar të dhënat celulare pa autorizim paraprak gjyqësor, duke ngritur shqetësime për privatësinë dhe mbikëqyrjen.
Rumani
Më 16 mars, presidenti i Rumanisë nënshkroi një dekret urgjent, i cili, midis masave të tjera, u jep autoriteteve të medias autorizimin për të hequr raportet ose të mbyllin faqet e internetit që përhapin “lajme të rreme” për virusin, pa asnjë mundësi për të apeluar.
Njëjtë si në Bullgari, gjithashtu u dyfishua sasia e kohës për t’iu përgjigjur kërkesave të për informacion nga 30 në 60 ditë. Që atëherë, media ka raportuar se institucionet vendore kanë refuzuar të japin informacion.
Incidente janë raportuar dhe në Spanjë, Itali, Gjermani, Slloveni dhe Kroaci, por në përmasa më të moderuara.
Në këtë publikim paraqiten të dhëna dhe për vendet kandidate, ku Turqia paraqet problemet më të shumta me sulme ndaj gazetarëve dhe sulme të autoriteteve ndaj mendiave të shumta në vend.
Shqipëri
Më 23 Mars, Kryeministri shqiptar u dërgoi qytetarëve një mesazh ndërhyrës me zë përmes kompanisë celulare Vodafone, duke këshilluar njerëzit të lanin duart kundër koronavirusit dhe “të mbrohen nga media”.
Më 23 Mars, gazetari i Ora News Elio Laze, u kërcënua në mënyrë agresive nga një punëtor i ndërmarrjes private të ndërtimit për xhirimin “në shkelje të shtetrrethimit të vendit”.
Serbia
Në Serbi, qeveria fillimisht firmosi një dekret që penalizonte institucionet vendore të lëshonin informacione në media për shpërthimin e koronavirusit që nuk ishte “i autorizuar” nga autoritetet në Beograd. Direktiva, e cila u tërhoq më vonë, ishte pjesërisht përgjegjëse për arrestimin më 1 prill të gazetares serbe Ana Lalić të portalit të lajmeve në internet Nova.rs, i cili shkroi për kushtet e stafit që merreshin me COVID-19 në një spital të qytetit.
Që nga lirimi i saj, Lalic ka marrë disa kërcënime serioze, thirrje për ndjekje penale nga mediat pro-qeveritare dhe është vendosur në qendër të një fushatë njollosjeje në internet duke e quajtur atë një armik të shtetit.
Më 26 mars, një ekuipazh televiziv i stacionit KTV u arrestua gjithashtu pasi dyshohet se nuk ju nënshtrua dezinfektimit të detyrueshëm, ndërsa po përpiqeshin të hynin në një ndërtesë administrative për të kryer një intervistë.
Gazetarëve gjithashtu iu është ndaluar të marrin pjesë në konferencat ditore të vendit të lidhura me COVID-19 nga qeveria.
Media ka mundësi të paraqesë pyetje vetëm përmes postës elektronike, pa asnjë pyetje vijuese të lejuar.
Gazetarë të tjerë kanë kritikuar mungesën e qasjes në informacione nga ministrat dhe zyrtarët e shëndetësisë. Afatet e të drejtës së informimit janë pezulluar gjithashtu gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.
“Gjatë krizës së vazhdueshme shëndetësore COVID-19, nevoja për rrjedhjen e lirë të lajmeve të pavarura është më thelbësore se kurrë. Media e pavarur po luan një rol kryesor në qasjen e qytetarëve në lajme të besueshme, të sakta dhe të përditësuara në lidhje me pandeminë.”, shkruhet në gjetjet e publikimit të IPI.
Për më tepër, në një periudhë kur të drejtat themelore të qytetarëve janë duke u pezulluar, gazetarët po veprojnë gjithashtu si një mbikëqyrës kyç në ruajtjen e një kontrolli publik dhe debatit për efektivitetin dhe përshtatshmërinë e masave qeveritare.
Fatkeqësisht, në të njëjtën kohë, disa qeveri kanë përfituar nga legjislacioni i emergjencës së koronavirusit për të shtyrë kufizimet që përkeqësojnë më tej lirinë e shtypit. Ndërsa disa nga këto masa kanë kërcënuar lirinë e shtypit pa qëllim, të tjerët janë zbatuar me vetëdije.
Po kështu, ndërkohë që disa frenime mbi të drejtat themelore mund të jenë të nevojshme për të luftuar pandeminë, ato që kufizojnë lirinë e mediave janë të tepërt. .
Nëse institucionet evropiane nuk tërhiqen kundër këtyre kërcënimeve të qëllimshme, liria e mediave në Europë mund të dalë shumë më e dëmtuar nga pandemia e COVID-19 se sa ishte në fillim të saj.
Burimi: International Press Institute (IPI)
Burimi i fotos: IPI