Fuqia e tregimeve të dhimbshme në Nanette të Hannah Gadsby

Në shfaqen e saj të re të Netflix, komediania australiane refuzon të luajë sipas rregullave të komedisë stand-up.
Vajzat rriten me frikë. Që nga momenti kur jemi mjaft të rritur për të kuptuar botën e jashtme, na mësohet se ajo dëshiron të na dëmtojë. Ne jemi mësuar të mos vishemi shumë provokuese (ose shumë konservatore, ose shumë mashkullore) ose të themi ndonjë gjë që mund ta bëjë një burrë të dëshirojë të na lëndojë. Ne jemi mësuar të përulim kokën dhe të sillemi ashtu sic i ka hije një zonjushe.
Çdo vajzë ka një histori rreth kësaj frike, rreth rrotullimit të çelësave të saj në grusht ndërsa shkon vetëm në shtëpi gjatë natës, për shqetësimin e gjatësisë së fundit të saj ose mbi shqetësimin se nuk dëshiron të veshë një fund dhe kjo e bën jo femërore. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu dhe frikën se do të quhet e “ftohtë” sepse nuk dëshiron të bëjë seks. Për shekuj me radhë ka qenë kështu, edhe pas lëvizjes #MeToo, drita në fund të tunelit ndonjëherë duket ende larg.
Komediania australiane Hannah Gadsby është e lodhur nga frika. Është e lodhur edhe duke u zemëruar. Në Nanette, ajo përdor formatin e njohur të një komedie speciale të Netflix për të treguar historinë e saj të fuqishme dhe për t’u kujtuar grave kudo që janë, se edhe ato kanë një histori.
Gjëja befasuese tek Nanette është se pjesa e parë është mjaft e pavërejshme. Gadsby e cila është haptazi gej, flet për rritjen në një komunitet të vogël e me mendje të ngushtë në Tasmaninë e mesit të viteve ’90, ku seksualiteti dhe pamja e saj e shënuan atë si të ndryshme. Duke e përshkruar ndjenjën si, “Gej, pse nuk e paketoni SIDA-n tuaj në një valixhe dhe të zhdukeni në Mardi Gras,” Gadsby i zbulon audiencës së saj se homoseksualiteti ishte një krim në Tasmani deri në vitin 1997. “Jo shumë kohë më parë.” Shakatë janë qesharake edhe pse jo veçanërisht novatore, një lloj vështrimi i përciptë për të qenë një grua queer, e dezinfektuar për një audiencë kryesisht heteroseksuale.
Rreth 30 minutave, Gadsby fillon të flasë për komponentët thelbësorë të komedisë së saj: tensionin dhe çlirimin. Duke bërë shaka për tema që audiencës mund t’i duken të pakëndshme si seksualiteti i saj dhe dhimbja që ajo ka pësuar si rezultat i tij, qoftë përmes përvetësimit të saj të retorikës rreth homoseksualitetit, apo reagimit të të tjerëve, ajo krijon tension mes audiencës. “Unë ju tensionoj të gjithëve dhe më pas ju bëj të qeshni, dhe ju thoni: “Faleminderit për këtë. Ndihesha pak i/e tensionuar.”
Ajo pyet: “A e dini pse jam kaq qesharake? Kjo është për shkak se kam mësuar artin e përhapjes së tensionit që kur isha fëmijë. Në atë kohë nuk ishte punë, nuk ishte as një hobi. Ishte një taktikë mbijetese. Nuk më duhej të shpikja tensionin, unë isha tensioni. Dhe jam e lodhur nga ky tension. Tensioni po më sëmur. Është koha të ndaloj komedinë.” Është në këtë moment që Gadsby e shndërron komedinë e saj të veçantë në një tjetër kafshë.
Duke folur për diplomën e saj në Historinë e Artit (“CV-ja ime është pothuajse një gjel dhe topa të vizatuar nën një numër faksi”), ajo përshkruan se si gratë janë parë historikisht si objekte, që vlejnë diçka vetëm në raport me burrat, por më e rëndësishmja, zhgënjimi i saj me mënyrën se si komedia merret me botën reale. “A e dini se çfarë ishte dikur një shënjestër e lehtë? Monica Lewinsky. Ndoshta nëse humoristët do ta kishin bërë punën e tyre siç duhet dhe do të talleshin me njeriun që shpërdoroi pushtetin e tij, atëherë ndoshta do të kishim pasur një grua të moshës së mesme në Shtëpinë e Bardhë me një përvojë të përshtatshme në vend të, siç bëjmë ne, një burrë i cili pranoi hapur se kishte sulmuar seksualisht të rejat e pambrojtura, sepse mundej.”
Në hyrje, zëri i Gadsby plasaritet dhe ajo duket se është në prag të lotëve. Zemërimi i saj vjen nga një vend i dhimbshëm. Ajo i kthehet një shakaje të mëparëshme nga skripti i saj, për një konfrontim që pati në një parking me një burrë që mendonte se po flirtonte me të dashurën e tij dhe më pas e sulmoi. Megjithatë, kjo nuk është për të qeshur dhe flet për mënyrën se si gratë i shfrytëzojnë përvojat më të dhimbshme dhe i dezinfektojnë ato për t’i kapërcyer duke qeshur sepse është më e lehtë sesa të përballesh me realitetin e tmerrshëm. Gadsby refuzon të luajë më atë lojë.
Nanette është një ushtrim në tregimin e sinqertë po aq sa është një shtrembërim i mprehtë i mizogjinisë dhe homofobisë së rrënjosur të shoqërisë perëndimore, në të cilën zemërimi i Gadsby është një katalizator. “Çfarë do të kisha bërë të kisha dëgjuar një histori si e imja,” ankohet ajo. “Gratë lejohen kaq rrallë të zemërohen në kulturën tonë (në fund të fundit, nga erdhi fjala ‘histerike’?)” dhe duke lëshuar zemërimin e saj ndaj mizogjinisë dhe homofobisë që ka ndikuar në jetën e saj, Gadsby e detyron audiencën të ulet dhe t’i kushtojë vëmendje.
Pason heshtja. “Ky tension? Është i juaji. Unë nuk ju ndihmoj më. Ju duhet të mësoni se si ndihesh, sepse ky tension është ajo që jo-normalët mbajnë brenda tyre gjatë gjithë kohës, sepse është e rrezikshme të jesh ndryshe.” Është viti 2018, dhe Gadsby po vazhdon. Me gjithë të qeshurat, të gjitha shakatë, homofobia, racizmi dhe mizogjinia janë ende të shfrenuara brenda shoqërisë. Po dhimbjen? Dhimbja e të qenit ndryshe apo ndjenja se diçka nuk është në rregull me ju? Kjo nuk largohet vetëm sepse mund të qeshni me të.
Por larg nga të qenit një thirrje për të zemëruarit, Gadsby thekson se “Zemërimi, edhe nëse lidhet me të qeshurën, nuk do të lehtësojë tensionin. Zemërimi është një tension.” Nuk mjafton të jesh i zemëruar. Në fakt, siç thekson Gadsby, zemërimi në fund të fundit çon vetëm në urrejtje. Dhe komedia? As komedia nuk mund të na shërojë. “E qeshura nuk është ilaçi ynë”, thotë Gadsby. “Historitë mbajnë kurën tonë.”
Çdo grua ka një histori. Çdo person të cilit i është thënë ndonjëherë se diçka nuk shkon me të ka një histori. Unë kam një histori dhe për kaq shumë kohë u përpoqa, si Hannah Gadsby, të shkruaja të çarat në atë fasadë delikate me të qeshura, zemërim, pije dhe drogë dhe çdo gjë që ofronte një moment të vogël lehtësimi nga dhimbja. Por siç thotë Gadsby, “Nuk ka asgjë më të fortë se një grua e thyer që ka rindërtuar veten”. Nanette është një dëshmi e fuqishme, pikërisht për këtë, dhe përtej të quajturit budallallëk mbi abuzimin që është kaq i rrënjosur në shoqërinë tonë, ka fuqinë të na bëjë të ndihemi më pak të vetëm./ Përktheu në shqip për Historia Ime, Anxhela Kokoshi