Kur rrëfehet Livia…

(Sfidat, angazhimet, e ardhmja)
Intervista e radhës ka në qendër të saj një personazh të veçantë e cila luan një rol të rëndësishëm në komunitetin LGBT. E njohur më së shumti si partnerja e aktivistes Xheni Karaj, Livia ka lënë jo pak gjurmë në historikun e komunitetit në Shqipëri. Takohemi me të një mëngjes nëntori në zyrat e Aleancës ku na mirëpret buzagaz edhe pse ndjehet që ka pak emocione. Qëllimi i intervistës me Livian është të mësojmë më tepër për të, përkushtimin, përgjegjësitë, punën me komunitetin, të qenit partnerja e Xhenit. Për këtë të fundit, Livia buzëqesh dhe na thotë se para se të ishte partnerja e Xhenit ka qenë shoqe dhe kolege e saj: “Qëndoj gjithmonë në prapaskenë. E kam zgjedhur vetë. Nuk jam ndjerë kurrë e mbetur në hije. Është një zgjedhje përmes së cilës ne balancojmë njëra – tjetrën.
Biseda nis të rrjedhë lirshëm dhe fokusi kalon te shkollimi i saj. Na tregon se ka mbaruar Pedagogji në Gjermani. “Sistemi arsimor atje është ndryshe nga sistemi ynë, dhe kjo më ka mundësuar të ndjekë paralelisht dy degë: Shkenca politike dhe Sociologji”.
Në vitin 2013 kthehet në Shqipëri dhe fillimisht nis të punojë si vullnetare tek Aleanca. Pas një viti vullnetarizëm punësohet te Streha për gati një vit e gjysëm. Më 2015 rikthehet te Aleanca si menaxhere projektesh, gjë që vazhdon ta bëjë edhe sot. Teksa flasim për orientimin seksual dhe të qenit pjesë e komunitetit, Livia rrëfen se gjatë gjimnazit nuk ka patur informacion dhe ndjehet e ndihmuar nga fati që ka jetuar për një kohë jashtë vendit pasi ka arritur të kuptojë më tepër, të ndjehet vetja dhe të bëjë një pjesë të rrugëtimit të saj disi më e qetë.
Biseda zhvendoset tek bullizmi dhe ajo fillon të na rrëfejë se është ndjerë e bullizuar që në gjimnaz.
“Bullizmin e kam ndjerë që në gjimnaz kur vishesha si metalare, kisha dy – tri vathë më shumë se bashkëmoshatarët. Bëhet fjalë për vitet 2001 -2005. Në 2013 kur u ktheva, nisa të punoja vullnetare të Aleanca dhe njerëzit që më njihnin më pyesnin ku punoja. Sapo u thoja që punoja për LGBT fillonin të shfaqnin negativitetin e tyre. Nuk i bënte përshtypje që punoja vullnetare por fakti që punoja për LGBT. E gjeta veten të targetuar vetëm sepse po jepja kontributin tim për komunitetin. Por përveç fjalëve, kemi patur edhe dhunë fizike. Për shembull, kur ishim në Himarë me miqtë tanë, disa njerëz na njohën, njohën Xhenin, dhe nisën të na godisnin me gur”.
Puna me komunitetin, me të rinjtë, sfidat dhe përgjegjësitë që ajo dhe bashkëpunëtorët e kolegët e saj ndeshin çdo ditë është e madhe dhe hera-herës e lodhshme. Mungesa e rezultateve konkrete, mungesa e shërbimeve për komunitetin si dhe problematika të tjera janë pjesë e përditshmërisë së Livias.
“Të punosh me dhe për komunitetin për mua nuk është fare e vështirë. E vështirë është të mos shoh rezultate. Shoh veten, stafin që japim shërbime që nuk na takojnë pasi institucionet nuk japin dhe nuk kanë prioritet të japin shërbime për komunitetin”.
Livia na tregon dy raste që i kanë mbetur në mendje mes shumë rasteve që vijnë përditë. Situata me zonjën Anxhela, transgjinore, e cila deri para disa vitesh ishte e pastrehë. Livia teksa bisedon, rrëfen mes emocionesh se si ajo, Xheni dhe stafi kishin kohë që përpiqeshin ti siguronin një banesë Anxhelës. Kohët e fundit jetesa për të ishte bërë edhe më e vështirë pasi ishin përsëritur rastet e dhunës. Livia na tregon odisenë e gjatë, pritjet e përcjelljet në bashki, shpresën se çështja do të zgjidhej.
“Ishte hera e fundit që do shkonim në bashki bashkë me Xhenin. O i jepnin shtëpi Anxhelës atë ditë ose nuk e merrte dot. Kohët e fundit e kisha mendjen vetëm te Anxhela dhe si do të zgjidhej problemi i saj. Shkuam në ku bashki na pritën tri zonja, punonjëse bashkiake. Kur njëra prej tyre tha se për momentin zonja Anxhela nuk e përfitonte shtëpinë, unë shpërtheva në të qara. Më kapi e qara me dënesë dhe nuk po ndalesha dot. Xheni kthehet nga unë e teksa më sheh që po qaja, fillon dhe ajo të qajë. Zonjat që ishin prezente mbetën pak ngushtë pasi nuk e prisnin. Por ne kishim patur shpresa dhe përgjigjia negative i shoi ato. E rëndësishme është që rasti i Anxhelës u zgjidh dhe ajo tanimë ka një shtëpi”.
Rasti tjetër, kishte të bënte me një trasngjinor që jetonte në një qytet të vogël në Shqipëri. Personi aso kohe ishte minoren, jetonte me një nënë të dhunshme dhe kishte probleme në familje.
“Ne na duhet ti referojmë rastet. Po kur kemi të bëjmë me minoren nuk mund të ndërmarrim veprime. Rasti në fjalë ka të bëjë me një minoren transgjinor i cili dhunohej nga e ëma. Punonjësja sociale gjeti kontaktet dhe e referoi. Ne i morëm në telefon, ata e kishin fëmijën aty bashkë me të ëmën dhe e pyesnin nëse nëna e rrihte apo jo? Sigurisht që fëmija nga frika përgjigjej negativisht. Të bullizuarit e të dhunuarit nëpër rrethe në ndryshim nga ata që jetojnë në Tiranë, e kanë shumë më të vështirë pasi nuk dinë ku të ankohen, nuk janë të fuqizuar” – thotë Livia.
Raste të tilla bullizmi, dhune, refuzimi e braktisjeje Livia dhe kolegët e saj i hasin përditë. Kur e pyesim se si do të dëshironte ta shihte komunitetin, pa më të voglin hezitim ajo përgjigjet: “Kam pesë vite që dëgjoj anëtarët e komunitetit që duan të largohen nga Shqipëria, të ikin. Kjo është një fatkeqësi, për mua si profesioniste. Ky është një sinjal që më tregon sa e trishtë dhe e vështirë është jeta për ata këtu. Ajo që unë do të doja, është të mund të ndryshoja ato gjëra që duhet t’i ndryshojë qeveria por që nuk i bën. Do të doja të krijoja kushte shkollimi, punësimi, strehimi, etj”.

Intervistën me Livian e mbyllëm me një thënie të saj, shpresëdhënëse dhe optimiste:
“Në të ardhmen e shoh veten në Shqipëri pasi kam ende shumë për të dhënë si aktiviste”.
Intervistoi: A.Sh.