Nuk ekziston “gjen gay” – Studimi më i madh gjenetik mbi seksualitetin konfirmon kompleksitetin e tij.

Një studim i publikuar në revistën shkencore Science më 29 gusht 2019, ka shqyrtuar pothuajse gjysmën e një milion individëve për të kuptuar më mirë se çfarë ndikon në orientimin seksual. Ky është studimi më i madh gjenetik i bërë ndonjëherë mbi seksualitetin dhe arrin në një përfundim të qartë: nuk ekziston një “gjen gay”, ashtu siç nuk ekziston një “gjen straight”.
Ky artikull është një përmbledhje e studimit dhe përfaqëson mendimet e studiuesve dhe institucioneve kërkimore përkatëse – jo të platformës sonë.
Sipas studiuesve, orientimi seksual nuk mund të parashikohet nga gjenetika, dhe as nuk mund të shpjegohet plotësisht nga përvoja jetësore apo psikologjia. Në vend të kësaj, ai ndikohet nga një kombinim i faktorëve biologjikë, psikologjikë dhe mjedisorë.
Studiuesit analizuan të dhëna nga UK Biobank dhe 23andMe, përmes një metode të quajtur GWAS (studim gjenomik i lidhjes së gjerë), e cila kërkon modele të zakonshme në ADN që lidhen me sjellje të ndryshme njerëzore.
Çfarë zbuluan?
Studiuesit identifikuan se gjenet kontribuojnë vetëm nga 8% deri në 25% në sjelljen seksuale të të njëjtit seks, dhe asnjë gjen i vetëm nuk ka më shumë se *1% ndikim. Seksualiteti doli të jetë *poligjenik, që do të thotë se shumë gjene kontribuojnë me ndikim të vogël.
Ky model është i ngjashëm me cilësi të tjera komplekse si gjatësia ose kurioziteti.
Sipas studiuesit Ben Neale, “është praktikisht e pamundur të parashikosh sjelljen seksuale të dikujt nga gjenetika e tij”.
Çfarë nuk mbulon studimi
Ky studim fokusoi vetëm orientimet gay, lezbike dhe heteroseksuale cis, duke lënë jashtë çështje si identiteti gjinor apo spektri më i gjerë i LGBTQIA+. Për më tepër, pjesëmarrësit ishin kryesisht me origjinë evropiane, duke kufizuar përfaqësimin kulturor dhe etnik.
Gjithashtu, studimi nuk konfirmon ndonjë përfundim mbi ndikimin e rritjes apo mjedisit në mënyrë specifike, por nënvizon se faktorët mjedisorë kanë rol shumë të rëndësishëm.
Studiuesit konfirmojnë se nuk ekziston një gjen i vetëm përgjegjës për orientimin seksual. Në vend të kësaj, seksualiteti është rezultat i shumë faktorëve të ndërlidhur. Kjo nënkupton që nuk mund të “manipulohet” apo “ndryshohet” orientimi seksual përmes trajtimesh, dhe shtron rëndësinë e të kuptuarit të diversitetit seksual si pjesë normale e natyrës njerëzore.