Deklaratë për Shtyp
Ne, përfaqësuesit, nënshkrues të kësaj deklarate, shprehim shqetësimin tonë për projektligjin e depozituar nga Partia Demokrate në Kuvendin e Shqipërisë “Për një shtesë në ligjin nr. 10129, datë 11.05.2009 “Për gjendjen civile”, i ndryshuar” i datës 23.09.2025, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për vendin.
Aktualisht në Shqipëri, kuadri ligjor aktual njeh vetëm dy gjini, të cilat përkojnë dhe barazohen me seksin biologjik të individit të lindur femër apo mashkull, konstatuar në lindje. Çdo informacion dhe deklaratë e ndryshme, përbën vetëm keqinformim të publikut shqiptar për të ngjallur frikë dhe pasiguri për të ardhmen.
Në Shqipëri nuk ekziston asnjë parashikim ligjor që lejon regjistrimin e gjinisë për personat interseks, transgjinorë apo për ata me gjini jo-binare. Ky fakt juridik konfirmohet dhe theksohet edhe nga një seri e gjerë rekomandimesh ndërkombëtare. Në raportin e fundit të Komitetit të Kombeve të Bashkuara për Eleminimin e të Gjitha Formave të Dhunës ndaj Grave (CEDAW) është ritheksuar se Shqipëria nuk ka një mekanizëm ligjor për njohjen e identitetit gjinor të personave transgjinorë. Po kështu, konfirmohet nga raporti i Qershorit 2025 i Reporterit të Kombeve të Bashkuara mbi Çështjet e Orientimit Seksual dhe Identitetit Gjinor mbi Shqipërinë.
Sa i përket kuadrit të brendshëm ligjor, ligji nr. 10129, datë 11.05.2009 “Për Gjendjen Civile”, i ndryshuar, ka parashikuar se gjinia është një nga përbërësit e gjendjes civile. Ky ligj nuk ka asnjë rregullim të veçantë për procedurat e ndryshimit të gjinisë për personat interseks, transgjinorë dhe me gjini jo-binare. Po ashtu, siç përcakton neni 42 i këtij ligji, gjinia është një përbërës i aktit të lindjes dhe vërtetohet përmes certifikatës së asistencës së lindjes, me raport mjekësor apo me një procesverbal të hartuar në kohën e lindjes. Të vetmet gjini të pasqyruara aktualisht në dokumentet e identifikimit të shqiptarëve janë F dhe M dhe deri sot asnjë person transgjinor nuk ka mundur të ndryshojë ligjërisht treguesin e gjinisë në Shqipëri, pavarësisht situatës faktike.
Edhe në gjendjen aktuale, pa marrë ende parasysh shtesën e propozuar nga Partia Demokratike, kuadri ligjor në fuqi e lë komunitetin interseks dhe transgjinor në një situatë pasigurie juridike, duke pamundësuar reflektimin e treguesit të gjinisë në dokumentet zyrtare, çka prodhon pasoja të rënda në jetët e qytetarëve shqiptarë interseks dhe transgjinorë, të cilët hasin vështirësi të padrejta në kalimin e kufirit, aksesin në shërbime, shëndetësi dhe në të drejta me natyrë personale, reale dhe pasurore .
Në këto kushte, ku shteti shqiptar dhe aktorët politikë, si përfaqësues të të gjithë taksapaguesve shqiptarë dhe jo vetëm të “shumicës”, në një realitet ku Shqipëria aspiron harmonizim më të lartë me standardet ndërkombëtare dhe europiane të të drejtave të njeriut, do të duhet të angazhoheshin efektivisht për të adresuar problematikat e të gjithë qytetarëve, pa i diskriminuar ata dhe për të mbushur vakumet ligjore që pamundësojnë njohje efektive ligjore.
Propozimi i bërë nga Partia Demokratike është jo vetëm i pabazuar juridiksht, por edhe dezinformues për publikun shqiptar, duke shfrytëzuar një çështje të ndjeshme të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për qëllime politike.
Sot, u bëjmë thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë në Shqipëri të distancohen nga nismat ligjore antikushtetuese dhe diskriminuese dhe të ndalin dezinformimin, gjuhën diskriminuese, gjuhën e urrejtjes dhe sulmin e organizuar ndaj të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe të ushtrojnë veprimtarinë e tyre politike, duke zbatuar standardet ligjore, etike, profesionale dhe njerëzore ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë, pa dallim.
Organizatat nënshkruese:
1. Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI
2. Të Bashkuar Pro Kauzës LGBTI
3. Open Mind Spectrum
4. Streha LGBTI
5. Pink Embassy
6. CRCA-ECPAT Shqipëri
7. Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC)
8. Rrjeti i Fuqizimit të Gruas (AWEN)
9. ALO 116-111 Shqipëri







