Nuk ka prova? S’ka gjë, ka gjykim!
Në vend që të festonte për afrimin e një sportisteje me karrierë 16-vjeçare ndërkombëtare, volejbolli shqiptar zgjodhi të bëjë atë që di të bëjë më mirë vetë shoqëria shqiptare: të GJYKOJË. Nayara Ferreira, 32 vjeçe, lojtare braziliane e klubit Dinamo, është pezulluar nga Federata Shqiptare e Volejbollit për t’iu nënshtruar një “testi gjinie”. Arsyeja? Disa klube “dyshojnë” mbi identitetin e saj gjinor, ose ndoshta thjesht donin të hiqnin qafe një lojtare të fortë që mund t’u marrë mundësinë për të fituar kampionatin.
Në mungesë të çdo prove, vendimi duket më shumë një paranojë kolektive se sa një nevojë sportive. Ferreira ka luajtur për vite në Brazil, Portugali, Çeki, Spanjë e Finlandë, gjithandej si lojtare profesioniste me licencë ndërkombëtare, por në Shqipëri, ajo duhet “të vërtetojë” përsëri kush është.
Klubi Dinamo e ka quajtur këtë proces fyes dhe diskriminues, ndërsa Federata mbron veten me fjalët magjike “ndershmëri sportive”. Por, me sa duket ndershmëria fillon të mungojë pikërisht aty ku fillon paragjykimi.
Në emisionin Top Story, Neli Demi kujtoi se “kur zbehen kufijtë mashkull-femër, ne frikësohemi dhe gjejmë mënyrën më poshtëruese për ta fshehur këtë frikë.” Ndërsa Grida Duma, me sensin e saj të zakonshëm të “analizës së thellë”, tha se “nuk ka vend për dyshim, pasi Nayara është një grua shumë e bukur.” Pra, përkufizimi i gruas në Shqipëri qenka estetik: nëse je e bukur, je grua; nëse jo, ndoshta duhet një test gjinie!
Duma shkoi më tej, duke e kthyer rastin në një koment të gjerë mbi “revanshin e atyre që duan të pranohen si të ndryshëm me forcë”, një thumb i qartë ndaj komunitetit LGBT. Kështu, një çështje që duhej të trajtohej me kujdes dhe profesionalizëm, u përdor për të ushqyer të njëjtat narrativa të lodhura për “ndryshimin që po na imponohet”.
Por e ti kthehemi rastit në fjalë, pasi ai është më shumë se një debat sportiv; është një pasqyrë e mënyrës se si shoqëria shqiptare ende nuk di të përballet me trupin e grave dhe identitetin e tyre pa frikë e pa gjykim. Dhe derisa institucionet tona të mësojnë se dinjiteti nuk mund të shkelet me këmbë për shkak të disa thashethemeve keqdashëse, volejbolli dhe sporti shqiptar femëror në tërësi, mbetet në mëshirë të fatit./A.A.







