8 Marsi: Historia e vërtetë
Çdo vit, më 8 Mars, dyqanet mbushen me trëndafila dhe mesazhet e urimit dërgohen pa kursim. “Gëzuar festën e gruas!”, madje në Shqipëri kjo ditë festohet edhe si dita e nënës. Por nëse do t’i pyesje njerëzit se pse pikërisht kjo ditëkonsiderohet festë, shumë do të heshtnin.
E dini pse historia e 8 Marsit nuk fillon me lule? E dini pse ajo fillon me gjak, me greva e me gra të vdekura?
New York, 1857
Ishte pranvera e vitit 1857 kur punëtore të industrisë së tekstilit në New York dolën nëpër rrugë të protestonin, sepse pagat ishin mjerane, oraret e tejzgjatura (deri në 16 orë në ditë) dhe kushtet e punës çnjerëzore. Ato nuk kërkonin mëshirë e as mirësi. Ato kërkonin vetëm drejtësi.
Policia i shpërndau me forcë. Por ato u kthyen sërish e sërish.
Dy vjet më vonë, në vitin 1859, të njëjtat gra u organizuan dhe krijuan sindikatën e tyre, një nga organizatat e para të grave punëtore në histori.
Lindja e një Dite Ndërkombëtare
Gjysmë shekulli më vonë, në Kopenhagën e vitit 1910, Clara Zetkin, aktiviste dhe gazetare gjermane, u ngrit para 100 delegateve nga 17 vende dhe propozoi një ditë ndërkombëtare të grave.
Vota ishte unanime. Nuk pati asnjë zë kundër.
Propozimi i Zetkin nuk kishte të bënte me festa dhe lule, kishte të bënte me votën e gruas, me pagën e barabartë, me të drejtën për t’u organizuar. Ishin kërkesa bazike!
Zjarri në “Triangle”: 146 gra që nuk duhen harruar
Më 25 mars 1911, në fabrikën “Triangle Waist Company” në New York, shpërthen zjarri. Nuk ishte aksident i thjeshtë. Dyert e fabrikës ishin të kyçura nga jashtë, sepse pronari nuk donte që punëtoret të mund të dilnin gjatë orarit të punës.
146 gra humbën jetën. Shumica prej tyre ishin gra emigrante, që kishin ardhur në Amerikë në kërkim të një jete më të mirë. Disa u gjetën me duart e lidhura, duke u përpjekur të hapnin dyert e kyçura, dhe pronari i fabrikës u shpall i pafajshëm.
Kjo është një tragjedi që është harruar nga historia, por kurrsesi nuk duhet të harrohet nga ne.
Tragjedia e “Triangle” ndryshoi legjislacionin amerikan të sigurisë në punë, por mbi të gjitha, bëri botën të kuptonte se ligjet mund të ekzistojnë dhe të mos zbatohen. Njësoj si në ditët tona.
Njohja Zyrtare nga OKB në vitin 1975
Pas dekadash, Kombet e Bashkuara e shpallën vitin 1975, “Vitin Ndërkombëtar të Gruas” dhe e njohën zyrtarisht 8 Marsin si Ditë Ndërkombëtare.
Sot, 8 Marsi njihet në mbi 100 vende. Disa festojnë me lule dhe dhurata e të tjerë e kalojnë këtë ditë në marshime dhe protesta. Të dyja janë legjitime, por vetëm njëra e mban gjallë frymën e sakrificës së atyre grave heroina që luftuan për të drejta të barabarta.
Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm ligjorë. Ka ligje kundër dhunës në familje dhe ka mekanizma institucionalë, por ndërkohë statistikat flasin ndryshe.
Sipas INSTAT, 1 në 3 gra shqiptare ka përjetuar dhunë nga një partner intim gjatë jetës së saj. Gratë paguhen mesatarisht 13% më pak se burrat. Dhe kur puna vjen te gratë LBT (lezbike, biseksuale dhe transgjinore) padukshmëria është edhe më e rëndë. Dhuna ndaj tyre rrallë raportohet dhe sistemi shpesh nuk di si ta trajtojë këtë fenomen. Edhe pse ligji ekziston, zbatimi i tij është shumë i vogël. Kultura nuk ka ndryshuar sa duhet dhe heshtja nuk është më siguri.
Pse festojmë dhe protestojmë njëkohësisht
8 Marsi është dita e një paradoksi të shëndetshëm, sepse festojmë rrugën e bërë nga gra heroina para nesh, dhe protestojmë për rrugën që mbetet ende për tu përshkuar. Këto të dyja nuk janë detyrimisht në kundërshtim të njëra- tjetrës. Kur dhurojmë lule pa e njohur historinë, e kthejmë një ditë revolucionare në një festë të rëndomtë. Kur e dimë historinë, lulja merr tjetër kuptim. Ajo bëhet simbol i atyre grave që donin diçka shumë më të madhe se thjesht ekzistencën. Ato donin të jetonin me dinjitet. Po atë dinjitet që ne vazhdojmë ta kerkojmë dhe të luftojmë, edhe pas shumë brezash. /E.M.







