Kur Ligji Nuk Arrin të Mbrojë Fëmijët
Refuzimi i fundit i një gjykate shqiptare për të garantuar mbrojtje në rastin e një familjeje me dy nëna, pas publikimit pa pëlqim të fotografive të vajzave të tyre pesëvjeçare në rrjetet sociale dhe ekspozimit të familjes ndaj një vale të paprecedentë urrejtjeje publike, përbën një rast që meriton vëmendje jo vetëm për faktet që e karakterizojnë, por edhe për atë që zbulon mbi kufijtë e mekanizmave aktualë të mbrojtjes juridike në Shqipëri.
Vendimi gjyqësor nuk vuri në diskutim ekzistencën e publikimit të fotografive të fëmijëve, ekspozimin e tyre publik apo reagimet stigmatizuese dhe urrejtëse që pasuan. Çështja juridike qëndronte diku tjetër: nëse mekanizmat ekzistues të mbrojtjes ofrojnë një përgjigje efektive kur fëmijët bëhen objekt i urrejtjes publike nga persona që ndodhen jashtë marrëdhënieve të mbuluara aktualisht nga regjimi i urdhrave të mbrojtjes.
Ky boshllëk bëhet edhe më i dukshëm në kontekstin e Ligjit nr. 11/2026 “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”, i cili synon të forcojë mbrojtjen ndaj formave bashkëkohore të dhunës, përfshirë ato të lehtësuara nga teknologjia. Megjithatë, mungesa e akteve nënligjore të nevojshme për zbatimin e plotë të tij deri në 2027-ën, kombinuar me kufizimet materiale të mekanizmave ekzistues, krijon situata ku individët më të cenueshëm mund të mbeten pa mbrojtje efektive.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia e këtij rasti. Ai evidenton një boshllëk në sistemin aktual të mbrojtjes juridike, ku fëmijët mund të ekspozohen ndaj stigmatizimit, diskriminimit dhe urrejtjes publike pa pasur akses në një mekanizëm të menjëhershëm dhe efektiv mbrojtjeje.
Në qendër të kësaj çështjeje nuk qëndrojnë debatet mbi orientimin seksual, bindjet fetare apo lirinë e shprehjes. Në qendër të saj qëndrojnë dy vajza pesëvjeçare, fotografitë e të cilave u publikuan pa pëlqimin e prindërve dhe u përdorën si pjesë e një narrative publike që i ekspozoi ato ndaj stigmatizimit dhe urrejtjes.
Pas publikimit të fotografive, rrjetet sociale u mbushën me qindra komente që shkonin përtej kufijve të një debati publik legjitim. Komentet përfshinin gjuhë urrejtjeje, dehumanizim, referenca ndaj dhunës, forma poshtërimi dhe deklarata që normalizonin ose justifikonin agresionin ndaj familjes. Edhe nëse jo çdo koment, i marrë veçmas, përbën domosdoshmërisht vepër penale, të marra së bashku ato krijonin një mjedis armiqësor dhe intimidues, veçanërisht kur objekt i ekspozimit publik janë fëmijë të mitur.
Përballë kësaj situate, familja iu drejtua institucioneve shtetërore. Kërkoi ndërhyrjen e Policisë së Shtetit. Kërkoi mbrojtje nga gjykata. Kërkoi që shteti të aktivizonte mekanizmat juridikë të disponueshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve.
Megjithatë, gjykata arriti në përfundimin se mekanizmi i kërkuar i mbrojtjes nuk mund të zbatohej në rrethanat konkrete të rastit. Arsyeja nuk lidhej me mungesën e ekspozimit të fëmijëve, me mungesën e urrejtjes publike apo me mungesën e shqetësimit të shkaktuar. Ajo lidhej me kufijtë e vetë mekanizmit ligjor.
Nga një këndvështrim formal, ky interpretim mund të konsiderohet në përputhje me kuadrin ekzistues ligjor. Megjithatë, rezultati që ai prodhon ngre pyetje serioze në raport me detyrimet kushtetuese dhe ligjore të shtetit shqiptar ndaj fëmijëve.
Neni 54 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garanton mbrojtje të veçantë për fëmijët. Ligji nr. 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës” parashikon se interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata parësore në çdo vendimmarrje që e prek atë dhe ngarkon institucionet publike me detyrimin për të mbrojtur fëmijët nga çdo formë dhune, diskriminimi dhe cenimi të dinjitetit të tyre.
Po kështu, detyrimet pozitive të shtetit sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventës për të Drejtat e Fëmijës nuk kufizohen vetëm në mosndërhyrje. Ato kërkojnë krijimin e mekanizmave juridikë efektivë që ofrojnë mbrojtje reale kur të drejtat themelore cenohen nga persona të tretë.
Pikërisht këtu qëndron shqetësimi që ky rast nxjerr në pah. Problemi nuk është thjesht nëse gjykata zbatoi drejt apo gabim ligjin ekzistues. Problemi është se rezultati i prodhuar nga sistemi juridik ishte që dy vajza pesëvjeçare, të ekspozuara ndaj një fushate urrejtjeje dhe stigmatizimi publik, mbetën pa një masë të menjëhershme mbrojtjeje. Familjes iu sugjeruan mjete të tjera juridike, si ndërmjetësimi apo kërkimi i kompensimit për dëmin jopasuror, por asnjë prej tyre nuk adresonte nevojën më urgjente të momentit: garantimin e sigurisë së fëmijëve.
Ky rast duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për institucionet shqiptare. Jo sepse zbulon domosdoshmërisht një gabim individual, por sepse evidenton një boshllëk sistemik. Një sistem drejtësie matet jo vetëm nga aftësia e tij për të zbatuar ligjin, por edhe nga aftësia për të garantuar mbrojtje efektive për ata që janë më të cenueshëm.
Asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet i pambrojtur përballë urrejtjes publike. Asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet jashtë mbrojtjes efektive të ligjit për shkak të kufizimeve materiale ose procedurale që nuk arrijnë t’u përgjigjen formave bashkëkohore të cenimit të të drejtave.
Në fund të fundit, testi i vërtetë i një sistemi drejtësie nuk është vetëm nëse ligji u zbatua formalisht. Testi është nëse fëmijët që kishin nevojë për mbrojtje e morën atë. Në këtë rast, përgjigjia është e qartë.







