Ceremonia e Dhenies se Cmimit te Bashkimit Evropian per Trashegimine Kulturore: Cmimi Europa Nostra 2014
Sot (29 Shtator 2014) në ora 18:00
Holli i Hyrjes, Ministria e Kulturës
Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) është një nga fituesit e çmimit të Bashkimit Europian për Trashëgiminë Kulturore / Çmimi Europa Nostra për vitin 2014, me projektin e Kampeve Rajonale të Restaurimit. Kampet kanë konkuruar mes 160 projekteve të tjerë të propozuar nga 30 vende të ndryshme. Në mirënjohje të përkushtimit dhe përsosmërisë së tyre, ata u renditën mes fituesve në kategorinë e “Edukimit, Trajnimit dhe Rritjes së Ndërgjegjësimit.”
Për të parën herë një nismë e tillë e konceptuar dhe zhvilluar në Shqipëri fiton një çmim kaq të rëndësisëm në nivel Europian. Në thelb, Kampet përfaqësojnë një model trajnimi të thjeshtë dhe të suksesshëm, i cili gjatë periudhës 2007-2013, kaloi nga një aktivitet i kufizuar në disa studentë në Shqipëri, në një modul të vlerësuar dhe përhapur jashtë saj, me një diversitet të gjerë të pjesëmarrësve. Kampet janë pjesë e një indicative mbarë-Ballkanike për të inkurajuar njerëzit që të vlerësojnë dhe të kujdesen për trashëgiminë e tyre vendore. Objektivat kryesore janë përdorimi i trashëgimisë kulturore për ndërtimin e marrëdhënieve midis profesionistëve të rinj, duke krijuar kushtet për paqe dhe demokraci, dhe ruajtja e mjeshtërive dhe teknikave tradicionale.
KAMPET NË NJË SHIKIM:
(statistikat deri në shtator 2014)
18 kampe të organizuara në 4 vende të ballkanit
23 shtete të përfaqësuara nga pjesëmarrësit
25+ profesione të përfaqësuara
71+ ndërhyrje restauruese
520 pjesëmarrës
34,800 orë punë praktike
Gjatë dy javëve të kampit, pjesëmarrësit ndjekin një program rigoroz dhe të plotë, duke kombinuar teorinë – përmes leksioneve dhe prezantimeve – me punën praktike – nëpërmjet ndërhyrjeve restauruese në monumente në Shqipëri, Bosnje & Hercegovinë, Kosovë apo Serbi. Leksionet mbahen nga ekspertë të mirënjohur nga rajoni apo bota, ndërsa punët praktike udhëhiqen nga mjeshtër vendas me përvojë. Çdo ndërhyrje ndihmon drejtpërdrejt pronarët e monumenteve – duke përdorur materiale dhe teknika tradicionale për të restauruar ndërtesat e tyre monumentale dhe duke siguruar mënyra të reja për të kuptuar vlerat që ato mbartin, për t’i interpretuar por dhe rijetëzuar.
Për më shumë informacion vizitoni faqen http://chwb.org/albania/activities/rrc/?lang=sq