Libri i ri i Ben Blushit, kandidati i vdekur që fitoi zgjedhjet
Në prag të Panairit të përvitshëm të Librit, Tirana 2015, lexuesit do të kenë këto ditë një tjetër libër nga krijimtaria e shkrimtarit dhe politikanit të njohur Ben Blushi.
Romani i ri me titull “Kandidati”, i cili është shkruar në një kohë rekord, kërkon të vizatojë me fantazi, cinizëm dhe stil Shqipërinë politike dhe mediatike të ditëve tona, të cilën ai e njeh mirë. Ngjarjet e romanit të ri zhvillohen në sfondin e një palë zgjedhjeve ku personazhi kryesor, megjithëse i vdekur, arrin të zgjidhet kryetar Bashkie.
Ky roman merr përsipër të tregojë se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri. Blushi përshkruan sesi një nga kandidat për kryetarë bashkie të “Basenit”, vdes papritur, pas hapjes së fushatës zgjedhore dhe megjithatë, fiton.
Si dhe tre romanet e mëparshme, edhe “Kandidati” pritet të provokojë debatin politik për shkak se subjekti është marrë nga politika shqiptare, të cilën autori e tregon me të gjitha dritëhijet e saj përmes një gjuhe letrare, për të cilën Ben Blushi ka treguar se nuk ka munguar asnjëherë.
Në vitin 2008, Blushi botoi romanin e tij të parë, “Të jetosh në ishull”, në vitin 2009 “Otello, Arapi i Vlorës” i cili fitoi Çmimin Europian të Letërsisë, në vitin 2011 botoi “Shqipëria” dhe në vitin 2014 esenë politike “Hëna e Shqipërisë”. Edhe romani “Kandidati” vjen si botim i “UET Press”.
/l.k./