Berisha dhe burreria, te jete keq me sondazhet? Pyet respublica.al
Duket se brenda fushatës së PD, diçka duket se nuk shkon mirë (të jetë perceptimi i humbjes?) përderisa Kryeministri është rikthyer tek gjuha e egër ndaj kundërshtarëve dhe sulmet personale. Pasi riktheu në Shkodër sulmet ndaj të Kristaq Ramës, pasi foli për skizofreni, dje, gjatë një takimi elektoral ka thënë (në përgjigje të këshillës së Ramës që të shkojë të punojë ‘gjysh full-time’):
“Me këtë rast më duhet t’i them Edvinit se i ka bërë një akuzë të rëndë vetes së tij! Kjo sepse një njeri normal që vlerëson familjen dhe vlerat e saj nuk mund të jetë kurrsesi bir, vëlla, bashkëshort, baba apo gjysh part-time pra në gjuhën shqipe me “gjysëm kohe apo përgjysëm”.
Pastaj akuzon se Rama ka kaluar një rini “të skllavëruar nga Blloku Hoxhist dhe kompleksi i “Edipit” i formës së pashërueshme,” dhe “unë ndjehem i lumtur si një burrë “kohë plotë” gjatë jetës sime dhe “jo çerek apo gjysëm burrë siç jeni faktuar dhe keni pohuar ju veten tuaj”!!!”
Logjika e do, që sondazhet e brendshme të jenë aq poshtë, sa për të mobilizuar të vetët, Berisha duhet të lërë akuzat për taksën progresive e programin e PS, e të rikthehet tek punët “e burrërisë”.