“Cunat e Tirones”/ Lubonja: Rama e ka fjalen per Bllokun e ri
Publicisti Fatos Lubonja, në një shkrim të gjatë, i rikthehet vlerësimit të Edi Ramës pas vrasjes së Artan Santos se ai ishte një “çun Tirone”.
Lubonja merret gjerësisht me debatin e shpërthyer në rrjetet sociale.
Sipas tij, nuk qëndrojnë shumë komente që thonë se Rama po identifikohet me Bllokun e vjetër të regjimit komunist.
Por sipas Lubonjës, Rama po identifikohet me Bllokun e ri.
“Sipas mendimit tim, termi “çun Tirone” nuk i përket kohës së diktaturës dhe Edi Rama nuk e ka përdorur duke pasur parasysh të privilegjuarit e asaj kohe. Me gjithë ambiguitetin që ka termi- që e vë në dukje edhe Edi Rama kur shton “nga ata të vërtetët”- nuk mund të mos ndiesh te postimi i tij identifikimin e vetë kryeministrit me kategorinë ku ka futur Santon dhe shfrytëzimin politik të këtij përcaktimi. Ai e ka përdorur këtë term sigurisht për të shprehur një diferencim, duke përcaktuar, dashur pa dashur, një status më superior se të tjerët.
Santoja ishte si puna jonë, jo si e tyrja, qe nënkuptimi i parë. Disa, që futën edhe ish- kryeministrin Nano në këtë kategori, i mirënjohur si mik i Santos, pasi debatuan nëse edhe ky ishte apo jo, sipas kryeministrit, “çun Tirone i vërtetë”, arritën në përfundimin se përkthimi i postimit mund të ishte pak a shumë ky: ne jemi nga ata “çuna” Tirone që e duan jetën, lekun e luksin, që bëjnë edhe marifete për ta fituar atë, por që nuk meritojmë të vritemi, se edhe ne nuk shkojmë deri te vrasja siç shkojnë ca malokë,” shkruan Lubonja te Panorama.
Duke u ndalur tek termi malokë, Lubonja thekson se nuk ishin ata që shkatërruan territorin në Shqipëri, por ishin pikërisht ata banorë të Tiranës dhe Durrësit.
“Ata ndërtuan shtëpi maksimumi trekatëshe me oborr dhe pemë, kurse masakra e vërtetë është bërë nga ndërtuesit e pallatave mu në qendër të Tiranës,” shkruan Lubonja.
Duke bërë një krahasim mes Bllokut të vjetër dhe atij të ri, Lubonja thotë se shteti shqiptar, që nga lindja, nuk është bazuar në meritokraci dhe punën e ndershme, por tek sundimi i personave dhe klaneve që kapin pushtetin.
“Sipas meje, kjo çon në fenomenin e Bllokut, që mbetet maja e kësaj hierarkie dhe përcaktuesi kryesor, në mos i vetëm, i statuseve sociale. Sipas meje, jo rastësisht, por bash si vazhdimësi e fenomenit të Bllokut të vjetër, në kompleksin e vilave të Bllokut të ri, gjen një pleksje paradoksale të njerëzve të pushteteve, siç janë vilat e pushtetarëve politikë, atyre financiarë, të gjyqësorit, atyre mediatikë dhe shoqërisë civile, madje edhe atyre të botës së krimit, ku edhe vetë rrethimet me mure më shumë se nevojë mbrojtjeje, janë shenja statusi.
Dhe jo rastësisht në këto shoqëri njohim edhe përmbysje të forta dhe të dhunshme të statuseve sociale”.
Marrë nga gazetatema.net