Dashuria e kushtezuar e Shqiperise per BE – KOSOVO 2.0
Këtë herë, BE-ja nuk e ka injoruar plotësisht Shqipërinë, siç ka bërë dy vitet e fundit duke u përgjigjur negativisht në kërkesat për status të shtetit kandidat. Duket që Komisioni Evropian, me të drejtë, nuk u beson politikanëve shqiptarë dhe u dha atyre një status të kushtëzuar i cili do të finalizohet vetëm pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Komisioni e di më mirë se kushdo tjetër nëse Shqipëria është apo nuk është e gatshme për statusin e plotë të shtetit kandidat. Pasi që Eurozona e ka dëmtuar imazhin e BE-së, ajo përpiqet të tregojë se të paktën politikat tjera të saja, në rastin tonë Politika e zgjerimit, janë duke funksionuar mirë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor po i afrohen gjithnjë e më shumë familjes evropiane. Raporti i progresit i lëshuar pak ditë më parë lavdëroi Shqipërinë për disa arritje të saja, por pohoi se ende ka shumë punë që duhet bërë.
Pavarësisht disa reformave që janë arritur deri më tani, si votimi i ligjeve që kishin ngecur në Kuvend nga shumica e përforcuar, reforma në ligjin zgjedhor dhe sundimin e ligjit, Shqipëria ende është prapa në shumë fusha të rëndësishme. Shqiptarët ndoshta kanë shtet të pavarur që 100 vjet, por ende nuk kanë institucione të pavarura. Partia Demokratike e cila është në pushtet i jep kontrollin e presidencës dhe gjykatave Agjencisë së Sigurimit të Shtetit duke vënë në pozita zyrtarë të cilëve u beson dhe të cilët i shërbejnë interesave të saj. Kohëve të fundit, konsensusi mes qeverisë dhe opozitës ka rezultuar në heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë të shtetit. Por çfarë lloj përparimi është ky në momentin kur gjyqtarët dhe gjykatat ende janë nën kontrollin e qeverisë? Megjithatë, situata nuk duket se është shumë më mirë tek opozita, e udhëhequr nga Parta Socialiste. Konfrontimet e vjetra politike me partinë në pushtet, si dhe gabimi i fundit i njërit prej deputetëve të saj i cili është shprehur në TV se “nuk do vjedhim në mënyrë kaq flagrante saq kanë bërë këta,” lë pak vendë për shpresë për ndryshim. Shqipëria ka filluar dialogun me BE-në pa qenë në gjendje të zhvilloj dialog ndërmjet partive politike në vend.
Marrja e statusit të shtetit kandidat është një moment i rëndësishëm për çdo vend të Ballkanit, veçanërisht për Shqipërinë e cila tashmë është refuzuar dy herë më parë. BE-ja nuk duhet të shihet vetëm si një çështje e përmbushjes së disa parakushteve në mënyrë që të arrihet anëtarësimi magjik i cili automatikisht do të zgjidhë problemet e Shqipërisë. Koncepti i BE-së është diçka më substanciale. Dymbëdhjetë rekomandimet kyçe që BE-ja ka kërkuar të zbatohen nuk janë vetëm për integrimin europian të vendit. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vendosja e sundimit të ligjit, zgjedhjet demokratike, pavarësia e sistemit gjyqësor dhe reformat administrative janë gjithashtu të nevojshme për vetë integrimin demokratik të Shqipërisë. Është koha që politikanët të pjeken politikisht dhe të kalojnë të gjitha reformat e mësipërme jo vetëm për të tërhequr partnerët e tyre evropianë, por edhe (dhe më me rëndësi) për të krijuar një shtet demokratik që funksionon për shtetasit e tyre.
Këtë nëntor, ne do të festojmë 100 vjet të pavarësisë së Shqipërisë. Deri më tani, prania e Shqipërisë në Evropë ka qenë kryesisht gjeografike. Dekada të izolimit, konflikte politike, ngecje dhe dominim i interesave personal kanë qenë shenjat dalluese të peizazhit politik shqiptar. Marrja e statusit të shtetit kandidatë për anëtarësim në BE, të kushtëzuar apo të pakushtëzuar, është një hap i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët dhe për vendin tonë. Edhe pse, çfarë është më kuptimplote është të ndryshojmë shoqërinë në të cilën jetojmë – së pari për veten, e së dyti për t’u bërë shtet anëtar i BE-së.