Dilema hamletiane e palmave të autostradës: T’i ngulim, apo t’i shkulim!?
Te Hamleti i Shekspirit, djali i mbretit, i lodhur nga intrigat dhe ndyrësitë me të cilat e përplasi jeta, arriti përballë dilemës së madhe ekzistenciale: “të jesh apo, të mos jesh!?”, teksa u gjend përbri varrit të një të njohurti të tij.
Te ne çështja është më e thjeshtë, sepse bëhet fjalë për palma, edhe pse dilema mbetet e njëjtë: t’i ngulim, apo t’i shkulim.
Ky duhet të jetë halli që e ka zënë kryeministrin Rama.
Pak kohë më parë u zbukurua me ndriçim dhe me palma shumë të kushtueshme hyrja e kryeqytetit, aq sa të dukej sikur po hyje në një vend ekzotik dhe jo mesdhetar, pavarësisht se pak më tutje, varfëria, që nga njerëzit që pjekin misëra, e deri te ata që presin orë apo ditë të tëra që dikush të vijë për t’iu ofruar një punë ditore, është ulur këmbëkryq.
Pasi u vendosën me shumë bujë, palmat tepër të kushtueshme dhe disa topa, që nga ngjyra e verdhë e sigurisë, u kthyen në mavi, fillimisht nisën të hiqeshin sferat dhe tani duket se po hiqen edhe palmat.
Në fakt, dikush u kujtua se autostrada Tiranë-Durrës duhet zgjeruar.
Akte të tilla ngjasojnë me një periudhë të caktuar në Tiranë, kur pasi asfaltohej një rrugë e caktuar, më pas shkepej nga e para, për të vënë tuba kanalizimesh, kabllo telefonash, apo eltetrikë…
Një qytetar i shqetësuar denonconte në rrjet: “…ato palmat qe u ngulen para dy muajsh, tani do shkulen sepse thone qe do zgjerojne autostraden. Pastaj do blejne prape palma qe te na i ngulin edhe njehere. Une nuk e kuptoj si mund te sillet dikush me kaq papergjegjshmeri, diten me diell, me parate tona. A e kuptoni o njerez cpo bejne? Harxhuan miliona per palmat, i mbollen dhe tani do i shkulin. Me ato para mund te ishte ndihmuar fukarai te shkonte vitin. Mund te ngriheshin menca falas ne gjithe vendin. Mund te financoje ilacet e te semureve. Keta i vjedhin, ashiqare. Ptu, kurre mos i gezofshi!!!”.
/ MAPO