Halli i Edi Rames dhe Sali Berishes me LGBT
Opinion nga Kristi Pinderi
Janë të shumtë njerëzit që bezdisen pse ne të LGBT po merremi me partitë politike. Shumë që bezdisen dhe shumë të tjerë që xhelozojnë. Disa të tjerë shqetësohen e të tjerë akoma ironizojnë.
Reagimi i njerëzve që bezdisen është shumë i kuptueshëm. Bezdisen sidomos ata që kërkojnë marxhinalizimin e kauzës së LGBT si vetë LGBT. Bezdisen ata që presin të ndodhë diçka e ngjashme me atë: “Cudia më e madhe 3 ditë zgjat”. Zakonisht bezdisen njerëz që nuk presin, e sigurisht, nuk duan që lëvizja LGBT të rritet e të ngrihet në nivelin e një aktivizmi që nuk bën vetëm gam-gam, por që kërkon të komunikojë e mundësisht të ofrojë zgjidhje që do të përmirësonin jetën e komunitetit LGBT.