Ja cfare duhet te beje Edi Rama ne Beograd
Qartësim: Shkrimet e publikuara në kategorinë ‘blog’ nuk përfaqësojnë detyrimisht mendimin e redaksisë. Më poshtë mund të gjeni një substrakt të shkrimit te Nexhemedin Spahiut botuar ne gazetatema.net
Nga Nexhmedin Spahiu
Vizita e pritur e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd do të ndodhë pas afro 7 dekadash. Mu për këtë edhe ka rëndësi historike dhe simbolika luan rrol të madh.
Edi Rama nuk duhet ta përsërisë gabimin e Ilir Metës, i cili kur shkoi në Beograd si ministër i jashtëm vuri kurorë lulesh mbi varrin e ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq. Gjingjiqi vërtetë ishte njëri ndër kryeministrat më të zotë e më pro-perëndimor në historinë e Serbisë, por ai njihet si politikani serb që deshi ta ndante Kosovën mbi baza etnike dhe respekti për Gjingjiqin, simbolizonte pajtimin e Shqipërisë që Kosova të ndahet në baza etnike mes Shqipërisë e Serbisë. Është e sigurt që Ilir Meta nuk do ta ketë menduar kështu aspak këtë punë, por çështja është si e panë gjestin e tij opinioni publik në Beograd.
Ceremoni fetare në Kishën e Shën Savës në Beograd
Edi Rama do të duhej të vizitonte Kishën e Shën Savës në Beograd dhe të bëmte kryqin sipas ritualit ortodoks. Kjo do të kishte jehonë tejet pozitive në opinionin serb dhe do të tregonte kulturë e respekt që do të shkrinte shumë paragjykime. Paraprakisht Edi duhet ta praktikojë këtë në Kishën Ortodokse në Tiranë që, si fëmijë i komunizmit ateist, të mos bëjë ndonjë gafë gjatë ritualit dhe kësisoj të arrijë kundërefekt. Këtë ceremoni duhet ta zhvillojë jo për hirë të bindjeve të tij fetare (sepse Edi ka të drejtë të jetë edhe ateist, tek e fundit është e drejtë personale e secilit), por pse si kryeministër i Shqipërisë përfaqëson edhe një komunitet të madh të krishteresh ortodoksë.
Vizitë xhamisë në Beograd
Edi Rama do të bënte mirë ta vizitonte edhe xhaminë e Beogradit, për të treguar se si kryeministër i Shqipërisë përfaqëson një komb myslimano-kristian. Natyrisht, në xhami nuk ka nevojë të kryej ceremoni fetare, sepse do t’ishte qesharake që një kryeministër të bëjë edhe kryq edhe namaz. Thjesht, Edi Rama në Beograd duhet të tregohet si një i krishter, por që qeverisë me një komb që është myslimano-kristian.
Me këtë ai do të tregonte superioritet duke qenë se serbët janë një komb ekskluziv mono-fetar (ortodoks) përballë kombit shqiptar si komb multi-fetar.