Midis gruas, mamase dhe shefes
Lediona Braho*
E dashur, pa mendo për një çast! Ke ndjekur universitetin, je diplomuar, ke sakrifikuar shumë gjëra, si shoqërinë dhe lidhjet, vetëm për të ndërtuar një karrierë, por një ditë të bukur takon mashkullin “e duhur” dhe ca kohë më vonë ai të propozon për martesë. Në përputhje me atë që pjesa më e madhe e grave të martuara bëjnë, ai mund të të kërkojë të qëndrosh në shtëpi, të mos punosh, të përkujdesesh për të dhe fëmijët. Dhe ti mund të qëndrosh në shtëpi, mund të mos punosh e mund të përkujdesesh për të dhe fëmijët. Kështu, stresin financiar do ta kalosh mbi shpatullat e burrit tënd, pra cilësia e jetës tënde do të bëhet më e mirë. Po a do të ndiheshe e përmbushur? Po ëndrrat për karrierë? A është kjo jeta që do të doje të kishe? E di që po e rëndoj ndërgjegjen tënde, por më lejo të të them atë që kam dashur të të them, qyshkur u njohe me të. Ky është momenti vendimtar. Duhet të zgjedhësh: Martesën ose Karrierën… ose të dyja bashkë!