Nje teori interesante e Fatos Lubonjes
Fatos Lubonja ka analizuar atë që po ndodh me shoqërinë shqiptare, duke marrë kësaj here një “shembull” nga kronika e zezë. Fjala është për një vendim të Gjykatës së Tiranës që vendosi sekuestrimin preventiv për pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të një personi me mbiemrin Deliu. “Ishte i paimagjinueshëm numri i pronave të sekuestruara. Qenë 34 troje ndërtimi, troje për vila e pallate me një sipërfaqe gjithsej 47 000 metra katrorë, të gjitha të hipotekuara. Ishin 5 (pesë) makina të tipave “BMË”, “Mercedes”, “Audi”, “Chrysler”, “Mitsubishi Pajero” (i blinduar), si dhe, vini re, 20 llogari bankare (një-zet) në bankat më të njohura të Shqipërisë…” – shkruan Lubonja dhe më poshtë analizon:
“Ajo që më rezultoi duke menduar këtë histori është se me ato paratë e tij të krimit e të drogës kush nuk është ushqyer: fshatarë që kanë shitur tokat, noterë që kanë bërë akte noteriale, hipotekarë që kanë regjistruar pronat, punonjës të bankës, avokatë, gjyqtarë. Këta më erdhën ndër mend si të lidhurit direkt, se pastaj në listën e atyre që kanë përfituar indirekt: më del se mund të futemi të gjithë: ndërtues që kanë shitur apartamente, shitës makinash, tregtarë gjithfarësoj mallrash që personi ka blerë, shteti që ka marrë taksa prej tyre e ka paguar funksionarë, pronarë restorantesh ku ka ngrënë e ka pirë, kamerierë, lavapjatës, kompani telefonike që kanë shitur celularë e kanë dhënë shërbim telefonik, media që kanë marrë reklama nga këto kompani, e me radhë, e me radhë. Nuk po llogaris këtu paratë që janë shpërndarë nën dorë, ku dyshoj se edhe policia duhet të ketë marrë shuka të mira për të bërë shurdhin dhe qorrin…”
Në fund Lubonja ilustron shndërrimin e shoqërisë shqiptare në “ujk” me një studim të kohëve të fundit, me anë të të cilit shkencëtarët kanë zbuluar mekanizmin se si ka dalë qeni nga ujku gjatë evolucionit: “Në një moment të caktuar të evolucionit paska ndodhur një ndryshim i sistemit tretës ndër kopetë e ujqërve që kanë pasur fatin të jetojnë në zona ku jetonte edhe njeriu. Një pjesë e tyre, dora-dorës, nga bashkëjetesa e afërt me njeriun, filluan të hanë ushqimin që hante edhe njeriu. Kuptohet se kjo u krijonte lehtësi mbijetese, pasi njeriu ishte më i zoti për të gjuajtur. Kjo bëri që me evolucionin sajë mutacionit, këtyre lloj ujqërve t’u krijohej tjetër sistem tretës – të bëhen pra qen – kurse ujqit që nuk e pësuan këtë ndryshim në ato zona u zhdukën. Ky ishte zbulimi me dy fjalë. Dhe a e dini se ç’më shkoi në mendje, të dashur vëllezër njerëz? Se këtej nga pylli ynë ka kohë që po ndodh e kundërta. Këtu jemi ne që po hamë nga ujqit e që po ndryshojmë sistemin tretës…“/Resbublica.al.
Lubonja i plotë:
http://www.panorama.com.al/2013/02/01/te-hash-nga-ujku/