Panairi i papune i punes
Nëse vërtet kërkoni një vend pune, më mirë mos e bëni këtë në panair. Në fakt panairi u mbyll dhe s’keni se si, por në rast se ju ka rënë rruga, me siguri duhet të keni dalë po aq të zhgënjyer sa ne që nuk po kërkonim një vend pune. Emrat e kompanive në fakt ishin joshës, madje edhe stendat ishin po aq joshëse, ashtu siç ishin edhe vajzat që të prisnin në to, por përtej kësaj vendet e punës mungonin. Hiq nja tri kompani call centeri (ato që i gjen thuajse në çdo faqe online dhe që ofrojnë të njëjtën punë të mërzitshme dhe të keqpaguar) dhe nja dy banka apo ndonjë emër tjetër që kishin diçka për të ofruar, të gjithë të tjerët të drejtonin në faqen e internetit ku do gjeje hapësirën për të aplikuar dhe sigurisht do përballeshe: “Për momentin nuk ka asnjë vend të lirë pune”. Formularë dhe CV sidoqoftë mund të lëshoje gjithandej.