Pse nuk ka falimentuar Shqipëria deri më tani?
– Sikur pensionet në Shqipëri të mos ishin sa për një krodhe buke,
– sikur vëllai dhe motra mos dërgonin në familje paret e fituara me djersë në dhéra të huaj,
– sikur shqiptari të mos pranonte të kishte shërbime mjeksore ose sociale si të një skllavi,
– sikur sigurimet shoqërore të paguheshin dhe të mos kishte punë të zezë,
– sikur rrogat të ishin krahasimisht aq sa në vendet fqinje,
– sikur shteti të detyrohej të mirëmbante rrugë, lulishte, ndërtesa, muzera etj,
– sikur të quheshin të papunë të gjithë të papunët dhe jo të quheshin si gjoja fermerë a shitësa brenda një ekonomie familjare krejt në degradim,
– sikur të kishte sindikata që të luftonin për rroga dhe të drejta në punë,
– sikur shqiptari të kishte cmirë dhe të thoshte se kur fqinji deputet ka X5 edhe unë dua ta kem,do të shihnim se ku do të vente borxhi ynë dhe sa shpejt do të kishim falimentuar.
Rroftë mendja e lehtë e shqiptarit thuaj, që i fut një bukë e djathë a me gjizë, që është mësuar të mos ketë dinjitet, të mos ketë një libër a një cdrom në shtëpi dhe të jetojë sikur është në zborr ushtarak a në aksion me punë vullnetare dhe ta quajë sëmundjen, varfërinë, vdekjen, mjerimin si një dhuratë e dërguar nga Zoti të cilën vetëm mund ta pranosh por kurrë ta refuzosh. Mendja e lehtë na shpëton nga kriza dhe falimentimi financiar.
Nga Artan Fuga