Java e Krenarisë LGBT+ në Prishtinë u mbajt nga 3 deri më 8 qershor, dhe për të shuar kureshtjen mbi disa çështje, diskutuam me Arbër Selmanin, Zyrtar për Komunikim në CEL, një prej organizatave që e ka organizuar këtë vit Javën e Krenarisë. Pyetjet tona dhe përgjigjet e sinqerta të Arbrit, gjeni më poshtë.
Për neve Java e Krenarisë është një moment i rëndësishëm të cilit i dedikohemi me çdo fibër të energjisë sonë. Nuk është vetëm një moment feste, është një dëshirë për ta vendosur qenien tonë në hartën e shëndetshme të Kosovës. Normalisht, momenti kulminant është Parada e Krenarisë, sepse aty shohim individët LGBTQIA+, shohim mbështetësit tanë, partnerët tanë, aty masim pulsin e një qytetari të thjeshtë të Kosovës, aty i qasemi shoqërisë në formën më paqësore të mundshme, aty tregojmë ekzistencën, dashurinë pa kushte, luftën tonë për zhvillimet rreth Kodit Civil, aty e kuptojmë se ku po ngecim e ku po kemi sukses në krejt këto tetë Java të Krenarisë që kemi organizuar deri sot. Kanë qenë 14 ngjarje përgjatë 6 ditëve, secila një momentum në dinamikën e saj, por gjithçka çon kah Parada e Krenarisë.
- Çfarë nënkupton për ju Java e Krenarisë?
Ta organizojmë Javën e Krenarisë në Kosovë nuk nënkupton vetëm festë: Java e Krenarisë, qysh prej edicionit historik të parë, i vë në hartë të gjithë ata individë që avokojnë çdo ditë për barazi, për gjithëpërfshirje, për të frymuar e për të qenë vetja në një vend ku të marrësh frymë nuk është e lehtë për asnjë.
Java e Krenarisë në Kosovë është një manifestim i vetes sonë, i kulturës sonë, i personalitetit tonë. Java e Krenarisë në Kosovë është një tjetër shpërfaqje e identiteteve të cilat për vite e vite janë shtypur e kanë mbetur në hije, duke mos qenë asnjëherë në habitatin e tyre. Java e Krenarisë në Kosovë, edhe në këtë edicion të tetë, nuk harron të jetë pasaporta kryesore e individëve LGBTQIA+ në Kosovë.
Kësaj here, po i fokusojmë sytë dhe veshët tanë sidomos në faktin që, përkundër perceptimit të përgjithshëm, ne kemi qenë gjithmonë këtu, njëjtë siç do të vazhdojmë të jemi. Akronimet për ne nuk janë shkronja, janë njerëz që bartin me vete mendje, përmbajtje, intelekt, aktivizëm, dëshira dhe ëndrra.
2. Lajtmotivi sivjet ishte “Kemi qenë dhe do të jemi”. Mund të shtjelloheni pak për një kuptim më të gjatë të tij?
Slogani “Kemi qenë dhe do të jemi” është kaq i vogël për ta përshkruar ndjenjën tonë të krenarisë, për atë çka jemi e për atë ku do të arrijmë, ku do të lartohemi. Fytyrëbardhësia jonë është në paradën tonë të përditshme, në defileun tonë në një vend ku ngjyrat shpesh pengojnë. Duke e respektuar të kaluarën tonë, ne duam të shohim kah e ardhmja. Heshtja ka qenë mekanizmi ynë për shumë gjatë, por jo tash e tutje. Në mes të sfidave e vështirësive, shpirtrat tanë kanë mbetur të fuqizuar.
Shihemi në Javën e Krenarisë, e cila edhe këtë vit është plotësuar e ndërtuar me një program që synon ti tregojë të gjithëve: kemi qenë dhe do t
jemi këtu. Përkundër gjithçkaje.
- Çfarë rezultati prisni nga Java e Krenarisë 2025? Dhe keni marrë ndonjë “feedback” që tani?
Presim sidomos kalimin e Kodit Civil. Është bërë një vonesë në krejt këtë proces dhe ne, sikur çdo vit, edhe këtë vit kemi folur në konferencën e përvitshme, sivjet me temën “Rrugëtimi drejt gjithëpërfshirjes”, për Kodin Civil dhe për individët LGBTQIA+ brenda këtij Kodi. Ajo çka ne bëjmë kuptohet që ka konotacione edhe politike, andaj sidomos te kjo pjesë ne presim që shumë shpejt të kalohet Kodi Civil dhe t’u jepen të gjitha të drejtat njerëzve LGBTQIA+. Meqë sivjet kemi kuruar një program ku prekim edhe operatorët kulturorë, edhe trupat ndërkombëtarë e kombëtarë diplomatikë, edhe zërat e harruar të grave queer e lezbike në Kosovë, edhe artin si formë rebele e thumbimit dhe plasimit të mesazhit, presim një ndryshim edhe të mentalitetit në vendin tonë, presim më shumë bashkëpunim me vendimmarrësit. Individët LGBTQIA+ në Kosovë janë në frontin e disa lëvizjeve e ndryshimeve, anipse kjo nuk merret parasysh e shpesh ndoshta as nuk çmohet mjaftueshëm. Dhe qershia mbi tortë, presim së shpejti një strehimore për individët që identifikohen si LGBTQIA+, e cila është premtuar prej kohësh dhe në të cilën po punojmë ende intensivisht.
- Katër ditë e gjysmë kanë kaluar që në mbyllje të aktiviteteve, çfarë reflektimesh keni pasur?
Jemi një grup i madh organizativ i Javës së Krenarisë. Ne reflektojmë prej ditës së parë, përgjatë Javës, dhe pas saj. E tërë puna jonë kryefjalë e ka reflektimin, meqë gjithçka duhet planifikuar me kujdes dhe pa dëmtuar askë e asgjë. Kemi kuptuar që kemi pasur një Javë me shumë aktivitete dhe me shumë të interesuar të cilët kanë mbushur sallat e ngjarjeve tona. Kjo na jep shpresë që strategjia jonë po funksionon dhe që po arrijmë shpesh edhe tek grupet dhe njerëzit të cilët mund t’i edukojmë e t’i formësojmë ndoshta në qëllimet e mira që ne i kemi. Po reflektojmë sepse në këtë edicion të tetë kemi ndryshuar edhe frymën e Javës së Krenarisë duke sjellë risi dhe duke përfshirë njerëz nga fusha të ndryshme të jetës publike në vend. Po reflektojmë se si ta bëjmë Javën e Krenarisë një javë edhe jashtë Prishtinës, që të arrijmë tek anëtarët tanë që kanë më pak qasje në shërbimet të cilat ndoshta janë më të arrira për ata që jetojnë në kryeqytet. Ne kemi mbajtur takime pafund, puna jonë u pa në 14 aktivitete që patën dinamikë të jashtëzakonshme, andaj reflektimi tash po merr formën e planifikimit për vitin e ardhshëm.