Rama: Eshte mbushur Shqiperia me shembelltyra hekuri e cimentoje
Nuk e di kush është shpikësi i zhanrit të përkujtimoreve buzë rrugëve, ku tragjikja dhe komikja bashkëjetojnë në një formë aq makabre. Por di që nuk ma kanë zënë sytë kund tjetër nëpër botë këtë lloj forme krijimtarie që lulëzoi në Shqipëri. E sa për mua, ata lapidarë të ndërtuar nga familjarët a shoqëria e të vdekurit a të vrarit në rrugë, janë forma më e sinqertë e dekompozimit të Realizmit Socialist në trajtën e përçudnuar të një “Realizmi Demokratik”. Të cilin e bartën, motivuan dhe financuan për vite të tëra si përçues aktivë të dhunës estetike, pushtetet qendrore e vendore të Shqipërisë përmes përpjekjes së tyre qesharake për t’iu kundërvënë heronjve të bronxtë të haxhiografisë së regjimit të vjetër me heronj të historisë së rishkruar sipas oreksit politik, apo me dëshmorë prej bronxi e pishtarë prej betoni të kohës që erdhi mbi piedestalët e zbrazur.