Shenim: Prostitutat dhe nafta e ministrave
Shkruar nga Koloreto Cukali
Seks për 3 mijë lekë nga varfëria, pranga 3 grave nga Kamza, Lapraka e Tapiza. Ky është lajmi, dhe nuk ka nevojë të lexosh artikullin. Siç shihet, policia e shtetit po zbaton ligjin dhe po çrrënjos prostitucionin duke vënë nën pranga 3 gra të mjera që detyrohen të prostituojnë me 3000 lek. 3 mijë lek janë aq sa ç’harxhon një ministër naftë për një kafe në Durrës. Sikur ministri, ta zëmë, të mos e pinte kafen në Durrës por poshtë pallatit, do kishte mundësi ta largonte për një ditë një nga ato gra nga rruga. Por, shteti jonë kafen do ta pijë në Durrës sepse për prostitutat e mjera të periferive ka një zgjidhje më të lirë: prangat. Flas për “prostituta të mjera”, sepse në këtë vend ka dhe plot prostituta luksi.
Prostitucioni i luksit dhe ai i mjerimit
Tirana është vendi i prostitucionit luksoz – ushqim cilësor me bazë mishi – për të huajt, për burrat e pasur e të mëdhenj në moshë, për këdo që ka 100 deri në 400 Euro për të shpenzuar për një orë a një natë qejfi pa preokupime. Katalogu i femrave të luksit nis që 16 vjeç e lart, shumica gjimnaziste apo studente, që ditën janë shoqe të mira e të dashura të klasës e natën janë vetëm një telefonatë larg.
Kushdo që bën jetë nate në Tiranë ka dëgjuar me dhjetëra histori të tilla, di edhe baret ku mund të gjenden klientet. Konsierzhët e hoteleve (daç 2, daç më shumë yje) kanë numrat e telefonit të menaxherëve që mund të të sjellin dy yje në dhomë, yje prej mishi nën 20 vjeç.
Nuk besoj se shteti ka mbetur pa spiunë që të raportojnë për këto rrjete, apo që nuk mund të ngrejë struktura që t’i identifikojnë. Por, shtetit i bie më për mbarë ta lejojë këtë treg informal që të lulëzojë.
Nuk kam gjë kundër shkëmbimit të të mirave materiale: një vajzë jep diçka nga vetja, një burrë i shëmtuar e i vjetër jep diçka nga kuleta, e të dy palët mbeten të kënaqur, qoftë dhe përkohësisht. Do doja që ky shkëmbim të ishte i kontrolluar, e mundësisht të taksohej. Por, ajo që më shqetëson më shumë është kur dëgjoj që shteti na i vinka pranga prostitucionit, e ku gjithmonë viktimat janë gratë e varfra të periferive që nuk prostituojnë për të blerë rroba firmato, po për të ushqyer fëmijët.
Shteti-prostitutë
Këtë shtet, që arreston këto gra unë e padis. Ky është një shtet i padrejtë që godet vetëm të varfrat. Ky është një shtet diskriminues, sepse godet vetëm të mjerët e periferisë. Ky është një shtet-prostitutë, që nuk ka ndër mend të merret seriozisht me prostitutat e mjerimit. Nëse do donte shteti të çrrënjoste prostitucionin, do duhej një strategji që nuk më duket se e ka.
Dinjiteti i një prostitute suedeze
Suedia është një nga vendet më të suksesshme në luftën kundër prostitucionit. Ky vend e ka zgjidhur shumë thjesht: dënon vetëm klientët. Gratë e ushtrojnë për të fituar bukën e gojës (edhe kur bëhet fjalë për të paguar qeranë, por edhe për të blerë rroba firmato) ndaj ato nuk duhen prangosur. Klientët, ata që lëshohen në jetën e natës me ca qindra Euro në xhep, ose që kullosin në Tapizë, Kamzë e Laprakë me 3mijë lek në xhep, janë ata që e ushqejnë këtë plagë sociale dhe Suedia i dënon, madje, i prangos. Te ne jo vetëm që shpëtojnë pa asnjë problem, por vazhdojnë jetën normalisht, mbledhin 3mijë lek të tjera e dalin për gjah periferive. Fusin 700 euro në xhep e dalin klubeve të natës.
Do duhej të ishte lobim e prioritet që nga shoqatat e grave e deri tek gratë deputete, që prostitutave shqiptare të mjerimit t’u ofrohej pak dinjitet nën modelin suedez. Por, për sa kohë ngjarjet janë në periferi duket se nuk gudulisin askënd. Tapiza, Lapraka e Kamza janë vetëm nocione gjeografike ku shkohet 1 herë në 4 vjet për vota, dhe votat e prostitutave të periferisë nuk ngrenë peshë. Përndryshe, janë këto vende ku lulëzon tregu i zi i mishit të lirë janë thjesht ca tabela blu gjatë rrugës për të pirë një kafe në Durrës./gazetadita.al/