Si eshte ajo shprehja e Faik Konices, ju lutem…?
Shannon Woodcock nga Australia, një historiane që tashmë e njeh mirë Shqipërinë postoi dy foto sot në Facebook që i kishte bërë nga ballkoni i shtëpisë së saj në Tiranë, në rrugën Robert Shvarc ku ka apartamentin privat edhe Presidenti Bujar Nishani. Fotot (të botuara këtu) i shoqëronte me shënimin në dukje ironik, por shumë të vërtetë:
“Ditë e mrekullueshme sot në Tiranë- me plehra që digjen, si zakonisht: mbetje plastike, dhe gjithfarësoj që shkaktojnë re toksike aq sa ajri bëhet i padurueshëm e na detyron të rrimë me dyer e dritare të mbyllura. Dhe të mendosh që në këtë rrugë jeton Presidenti i Republikës. Sali Berisha duhet të ketë një faqe në Facebook ku tregon si vriten njerëzit nga kanceri në mushkëri”…
Pas këtij komenti të ilustruar të Shannon lexoj në versionin online të një mediaje lajmin: Sërish aksident fatal në autostradën Tiranë-Durrës, vdes një tjetër person që tentonte të kalonte autostradën.
Nuk kalova as deri të rreshti i dytë pasi një lajm të ngjashëm kisha lexuar dy ditë më parë – A nuk ju duken edhe juve se, lajme të tilla nuk na bëjnë më përshtypje, pasi tashmë e dimë se pse ndodhin këto aksidente në të ashtuquajturat “autostrada”, aksidente që si gjithmonë lenë pas viktima njerëz që nuk mësohen dot me idenë se nuk kalohet, nuk mund e nuk duhet të kalohet, mespërmes një rruge ku makinat ecin si të çmendura?
Në luftë me makinat, fiton gjithmonë makina e jo njeriu apo jo…?
Unë kërkoj ndjesë për këtë krahasim, por mesa duket sistemi vetmbrojtës i lexuesit a qytetarit që i duhet të ruajë qetësinë nga informacione të tilla, e skualifikon dhe e mban larg lajmin e hidhur, aq më tepër kur i njëjti lajm përsëritet e nuk merren asnjëherë masa. E zhvlerëson fare këtë lajm njeriu i thjeshtë, ndonëse ne të gjithë e mirëkuptojmë në heshtje dramën e familjarëve të atij të shkretit, sot e përgjithmonë…
Më tutje, në një tjetër lajm mësoj se Aleanca Kuq e Zi, paska dhe një departament të personave me aftësi të kufizuar! Dhe se ky department dhe një zëdhënës i posaçëm i tij paskërkishin bërë sot një protestë para Ministrisë së drejtuar nga Spiro Ksera ku janë ankuar për padrejtësitë. Sërish sistemi im i brendshëm mbrojtës më thotë t’i evitoj lajme nga kjo lëvizje.
Personalisht më ngjan shumë shpesh jo si lëvizje politike, por si një fyerje që u bëhet qytetarëve të këtij vendi duke i trajtuar ata gati si delenxhinj me barkun e mendjen bosh që mund të gënjehen me retorika si ato që fëmijët e shkollave përdorin teksa zihen me njëri tjetrin se cila lagje është më e mira, se në cilën lagje “lacat” janë më të fortë, apo si retorika e djemve pak më të rritur që venë së fundmi qentë e tyre pitbulla të zihen me njëri tjetrin, në mënyrë që lacat pra, të ndihen të përmbushur…
Por zymtësia dhe budallallëku i një dite të mbushur me informacion nuk ka të sosur. Sërish një lajm nga kjo e ashtuquajtura lëvizje: “Me djegien e flamurit që simbolizon partinë greke Agimi i Artë, dhjetëra të rinj nga jugu i vendit kanë protestuar ndaj deklaratave antishqiptare të kësaj force neonaziste.
Forumi Djemtë e Gjirokastrës, Labërisë, Përmetit e Sarandës u mblodhën para memorialit të Ali Pashë Tepelenës, duke dënuar racizmin e ekstremistëve helene”…!
A janë në terezi këta njerëz apo jo?
A nuk ngjan sikur disa të çmendur këtu kanë nevojë të zihen si harrakatët e lagjeve me disa të çmendur të tjerë andej?
Unë nuk pretendoj të njoh me të vërtetë psikologjinë e votuesit shqiptar, ndonëse këto vite për shkak të punës sime disa mësime i kam nxjerrë, po megjithatë nuk arrij ta besoj se si një parti në vitin 2013 kërkon të marrë vota duke u marrë me kreun e një kishe, duke djegur flamuj partish të vendeve të tjera për të cilat as edhe një qytetar as nuk ka dhe as që do të ketë informacion, e duke bërë lloj lloj akrobacirash që as lajme nuk janë më, ama vendin e lajmeve kryesore e zenë si për të shtuar absurdin?!
Pasdite tashmë…
Ja ku vjen edhe lajmi tjetër nga versionet online te gazetave e të televizioneve: Berat, të rinjtë bëjnë sherr në bilardo, vdes një 21 vjeçar!
Vazhdon informacioni pastaj me një tjetër intervistë aluçinante të Pëllumb Xhufit t cili “jep argumenta pse grekët duan të na vjedhin Skënderbeun”.
Tek tuk vazhdojnë lajmet për Kosta Bajrabën dhe vrulli tërë nerv i komentuesve mbi këtë lajm në forumet apo blogjet shqiptare…
Televizionet nisin edicionet e pasdites që pak a shumë janë pasqyra e edicioneve qëndrore dy apo tre orë më vonë.
Vizion Plus raporton si janë nxjerrë familje të tjera nga Përmbarimi që banonin në një shtëpi 2 katëshe në Pazarin e Ri. Raportimet nuk hyjnë asnjëherë në thelb, fjala vjen nuk shkojnë asnjëherë të flasin këta gazetarët me avokatët e atyre që po ngelen në mes të katër rrugëve, apo nuk guxojnë, fjala vjen (apo ndoshta përtojnë) të bëjnë ndonjë kërkim të hajrit për ta pasqyruar siç duhet këtë problem social. Kufizohen vetëm te sjellja në dukje e kronikës se çfarë ka ndodhur sot, madje fusin nëpër të edhe sinkrone apo komente shpjeguese të tipit: Banorët e pastrehë që jetonin në këto shtëpi kanë thënë që nuk kanë mundësi të blejnë shtëpi me kreditë që iu jep banka.!!!
Doni më shumë? Ka dalë sërish Taulant Balla sot për debatin e pasurimit të familjes së Kryeministrit, pasi vajza e Berishës, në vend që të shpjegohej për akuzat që I bën opozita bëri akuzat e veta. Ndaj akuzave të saj Rama nuk u përgjigj (dje tha në Twitter se nuk është e vërtetë që ka vetëm 3 mijë euro në bankë, ato janë kursimet si zyrtar, tha se po ndërton një shtëpi bashkë me bashkëshorten).
Dhe këto si më lart, nuk kanë fund asnjëherë në Shqipëri. Ato janë të përditshme, dhe janë doza e budallallëkut që shqiptarët tashmë janë mësuar ta marrin në mënyrë të rregullt, ditë pas dite. Herë nga vetja e tyre, herë nga media, e herë nga politikanët.
Së fundmi, edhe një hapësirë të sigurt e të pandikueshme nga konjukturat pseudo-mediatiko-politike siç janë Facebook a Twitter po duan të na i zaptojnë!
Më duket se e kam zili Shannon, historianen australiane së cilës i ka ardhur në majë të hundës ky vend absurd (të paktën kështu më duket mua). Ajo ikën përfundimisht nga Tirana këtë të hënë… Do i duhen ndoshta vite për të përtypur gjithë këtë informacion të poamëshirshëm e absurd që ne dimë të prodhojmë çdo ditë qoftë në rrugë, qoftë në lagjet tona, a qoftë në media… E të mendosh që ne të tjerëve na duhet të jetojmë këtë vit në një vit zgjedhjesh…