Hiqet mesatarja dhe shtohen kuotat per disa programe master
Protestat e studentëve “nënshtruan” qeverinë, e cila u detyrua të bëjë lëshime në vendimin e mëparshëm për miratimin e kuotave dhe tarifave për masterat. Në vendimin e djeshëm të saj korrigjohen jo vetëm kuotat, por edhe tarifat, si dhe hiqet kriteri i notës mesatare. Kështu akordohen 830 kuota shtesë për 15 programe studimi në Universitetin Bujqësor të Tiranës, për ciklin e dytë me kohë të plotë, master profesional. “Kuotat e përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2014-2015, në programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë ‘Master Profesional’ janë 7 223″, përkundrejt 6 393, që u miratuan në vendimin e parë.
Protesta u përshkallëzua në Universitetin Politeknik këtë të hënë. Studentët bllokuan për disa orë hyrjen. Ata u shprehën kundër shtrenjtimit të tarifave, vendosjes së notës mesatare si kriter për pranimet në master, si dhe reduktimin e kuotave të pranimit. Pagesa në masën 30% gjatë regjistrimit nuk u aprovua gjithashtu nga studentët, megjithatë qeveria vendosi ta mbajë të pandryshuar këtë pikë të vendimit.
Një ndër kriteret e përcaktuara ishte edhe nota mesatare. Të drejtën për të garuar në ciklin e dytë të studimeve me kohë të plotë e kishin ata studentë që kishin përfunduar ciklin e parë me notë mesatare të tri viteve më të lartë se nota 6. Vendimi i rishikuar e heq këtë, duke u lënë dorë të lirë universiteteve në përcaktimin e kritereve për pranimin dhe përzgjedhjen e studentëve mbi bazën e kuotave të miratuara. Pak ditë më parë, studentët protestuan në Fakultetin e Inxhinierisë. //Panorama//