Rektori Ibrahim Gashi jep doreheqje (E PERDITESUAR)
Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi ka dhënë dorëheqje nga posti i Rektorit.
Në këto momente po vazhdon një takim urgjent në rektoratin e Universitetit të Prishtinës. /e.t/
Lexoni dhe:
FOTO REPORTAZH/Protesta e studenteve ne Prishtine
“Rrembimi i protestuesit Durim Jasharaj nga policia” (VIDEO)
Këshilli Drejtues i UP-së aprovon dorëheqjen e Ibrahim Gashit
Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me datë 08.02.2014, ka aprovuar kërkesën për dorëheqje të rektorit Ibrahim Gashi:
VENDIM
1. Aprovohet dorëheqja e prof. dr. Ibrahim Gashit nga pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
2. Prof. asoc. dr, Naser Sahiti, prorektor për buxhet dhe financa, caktohet ushtrues detyre i rektorit të UP-së, deri në zgjedhjen e rektorit të ri sipas procedurës së rregullt.
3. Prof. asoc. dr, Naser Sahiti, vazhdon të ushtrojë edhe detyrën e prorektorit për buxhet dhe financa në UP.
4. Prorektorët e tjerë, vazhdojnë të ushtrojnë detyrën në sektorët përkatës deri në zgjedhjen e rektorit të ri sipas procedurës së rregullt.
5. Deri në zgjedhjen e rektorit të ri sipas procedurës së rregullt, do të ngrihen të gjitha procedurat e zgjedhjes dhe avancimit të stafit akademik, shpallje të konkurseve të reja për zgjedhje apo avancim te stafit akademik, nuk do te shpallen konkurse për vende te reja në administratë si dhe anulohen konkurset aktuale për zgjedhje të stafit administrativ.
6. Deri ne zgjedhjen e rektorit të ri sipas procedurës së rregullt, u.d. i rektorit, do të siguroj mbështetjen maksimale për implementimin e vendimeve të Senatit nga mbledhja e datës 28.01.2014 si dhe kërkesave dhe rekomandimeve që mund të dalin nga organet kompetente ( KD , Senati, MASHT, Kuvendi i Kosovës, etj).
7. Këshilli Drejtues i UP-së e vlerëson aktin e reflektimit të rektorit të deritashëm prof.dr. Ibrahim Gashi dhe e falënderon atë për punën e tij të deritanishme!
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Rektori i Universitetit të Prishtinës Ibrahim Gashi, zyrtarisht jep dorëheqje. Ai këtë e ka konfirmuar në RTK duke thënë se këtë po e bënë për të mirë të UP-së dhe se kjo është e parevokushme.
Duke qenë së situata në Universitetin e Prishtinës, kjo edhe si pasojë e zhvillimeve jashtë tij, është ndërlikuar tej mase, dhe me qëllim të normalizimi të saj, ju paraqes dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ja kërkesa e plotë për dorëheqje e rektorit Ibrahim Gashi:
“Kam vendosur për këtë hap pas një presioni të vazhdueshëm, shpesh herë edhe të pandershëm dhe me implikime të thella politike të një grupi të studentëve, një pjese të shoqërisë civile dhe të qarqeve të caktuara politike.
Qasja ime gjatë ushtrimit të detyrës së rektorit, gjithnjë ka qenë refelektim i një përgjegjësie institucionale për trajtimin e të gjitha shqetësimeve të ngritura vetëm përmes normave dhe strukturave të parapara me statut dhe ligj. Kam dashur që, për përgjegjësinë eventuale të cilitdo, e në këtë kuadër edhe përgjegjësinë time, fjalën e tyre fillimisht ta thonë organet e Universitetit, por, meqë presioni që po ushtrohet ndaj Universitetit tashmë ka rrezikuar funsionimin e tij, atëherë vendosa të jap dorëheqje i bindur se me këtë akt Universiteti do të lihet i qetë që të kryej punën e vet.
I bindur në pafajësinë time, dorëheqja ime nuk nënkupton ikje nga përgjegjësia, adresimi i të cilës tanimë ka filluar ndaj të gjithëve, e për të cilën unë inkurajoj organet e Universitetit që ti shkojnë deri në fund.
Me këtë rast, dua të falënderoj gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës, stafin akademik, atë administrativ, dhe bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë që edhe në momentet më të ndjeshme ishin konstruktiv dhe të vendosur për të mbajtur funksionet vitale të Universitetit.
I nderuar z. kryetar Nitaj dhe ju anëtarë të Këshillit Drejtues;
Duke ju falënduar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe rolin tuaj shumë konstruktiv në kapërcimin e kësaj situate, ju lutem që të pranoni dorëheqjen time.”, ka thënë Gashi.
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi duket se është pranë dorëzimit.
Lajme të shumta po qarkullojnë në të cilat thuhet se ai tashmë ka vendosur që të jap dorëheqje ndërsa edhe një burim i “Zërit” rrëfen se kjo është vetë qështje minutash.
Megjithatë vet Gashi nuk ka dalë ende me një prononcim për të deklaruar diçka të tillë.
Protestat e studentëve kanë hyrë në javën e tretë ndërsa dorëheqja e Gashit është ajo që po kërkohet me ngulm. /Zeri/