Si të luftojmë kancerin e gjirit, këshilla nga mjekë dhe persona që ja kanë dalë
Nga Lorin Kadiu dhe Marinela Gremi
Në këtë emision do të dëgjoni eksperiencën personale të një pacienteje të diagnostifikuar me kancer gjiri, mendimet dhe këshillat profesionale të mjekeve Jeta Lakrori dhe Kozeta Filipi por edhe do të njiheni me një aktivitet sensibiliues mjaft interesant, të quajtur “Maratona e Jetës”.
Tetori njihet ndërkombëtarisht si muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit dhe data 16 e këtij muaji, është përcaktuar si dita ndërkombëtare e mamografisë. Ky muaj ndërgjegjësimi u përcaktua në vitin 1985 në Amerikë me qëllim promovimin e mamografisë si mënyra më e efektshme për të diagnostifikuar këtë sëmundje.
Kanceri i gjirit zhvillohet nga vetë qelizat e gjirit. Qelizat në një pjesë të gjirit bëhen anormale dhe fillojnë të rriten, grumbullohen e formojë një tumor, i cili shtyp dhe përhapet jashtë kontrollit dhe shkatërron indin normal të gjirit. Nëse nuk trajtohen, këto qeliza anormale, mund të përhapen e të shkatërrojnë indet normale që ndodhen përreth por mund të përhapen edhe në pjesët më të largëta të trupit, nëpërmjet sistemit të qarkullimit të gjakut ose sistemit limfatik.
Kanceri i gjirit është një problem i grave pavarësisht se haset në raste të rralla edhe tek burrat, rreth 99% e kancereve të gjirit zhvillohen te gratë, te burrat takohet 100 herë më rrallë. Nga kanceri i gjirit mund të preket çdo femër, por rreziku rritet me rritjen e moshës, por edhe tek femrat që e kanë të trashëguar. Zakonisht preken moshat mbi 50 vjeç, por mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja.
Është fakt konkret dhe i dukshëm se, informimi dhe sensibilizimi ka çuar në zbulimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit. Sa më herët të zbulohet kanceri i gjirit, aq më tepër rriten edhe mundësitë për shërimin e tij. /l.k/ /m.g/
Klikoni më posht për të dëgjuar emisionin.