“Interseksi është një term ombrellë që përdoret për të përshkruar një gamë të gjerë të variacioneve të lindura, trupore në karakteristikat e seksit. Personat interseksualë lindin me karakteristika seksi që nuk përshtaten me përkufizimet tipike për trupat mashkullorë ose femërorë, përfshirë anatominë seksuale, organet riprodhuese, veçoritë hormonale dhe/ose modelet e kromozomit” – nis kështu Raporti për Shkeljet e të Drejtave të Njeriut Kundër Indindividëve Interseksualë, i përkthyer dhe përshtatur nën kujdesin afatgjatë të TLAS (Tirana Legal Aid Society).
TLAS-i realizoi sot një tryezë teknike të perqendruar në protokollet mjekësore, i cila nisi me shfaqjen e një dokumentari sensibilizues sa i përket personave interseks. Në këtë takim ishin të ftuar mjekë specialistë për çështjen; si kirurgë dhe endokrinologë, po ashtu edhe ekspertë të të drejtave të njeriut nga shoqëria civile, Ambasadorja e Holandës në Shqipëri, institucioni i Avokatit të Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, përfaqësues ligjorë dhe gazetarë. Diskutimet ishin profesionale sipas fushave që mbulonin dhe pati argumentime të gjata, sa i përket specifikave dhe trajtimeve të personave interseks që nga prindërit dhe familja e ngushtë, deri në sistemin arsimor. shëndetësor dhe shoqëri.
Pati interes të veçantë terminologjia dhe kujdesi që duhet treguar ndaj personave interseks, duke evituar termat e vjetëruar dhe me konotacion pezhorativ në identifikim si “hermafrodit”, “të sëmurë”, apo “persona me çrregullime” , pasi mund të shkaktojnë efekte psiko-sociale të dëmshme tek ta. Kështu, nuk u ndihmojmë as personave, familjeve dhe as shoqërisë në tejkalimin e stereotipizimeve dhe roleve gjinore.
Tryeza solli rekomandime të mira, si propozimi i terapive hormonale falas, apo rimbursimi i tyre nga sistemi shëndetësor, modulet shpjeguese dhe miqësore për personat interseks që në bankat shkollore, mbështetja psiko-sociale e prindërve, etj., të cilat do të merren në konsideratë prej stafit nismëtar të TLAS-it dhe ekspertëve të tjerë për t’u përfshirë në protokoll, duke shënuar kështu një hap progresiv dhe lehtësues për personat interseks. Takime të tilla pritet të vijojnë edhe më tej, deri në finalizimin me sukses të protokollit të përbashkët.