ISHP: Një në pesë adoleshentë shqiptarë, vuan nga depresioni
Specialistja Pampuri: Nis në fëmijëri dhe zhvillohet frikshëm pas periudhës së pubertetit
Të dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik
Shifrat – Numri i adoleshentëve të prekur nga depresioni aktualisht është në rritje. 1 në 5 adoleshentë kërkojnë ndihmë psikologjike te mjeku
Shkaqet – Adoleshentët përballen shpesh me presionin psikologjik që shkaktojnë tek ata ndryshimet fizike dhe psikologjike
Simptomat – “Ndjesi e të qenët i pashpresë, irritim, të qara të vazhdueshme, mbyllje në vetvete, humbje interesi për aktivitete
Reagimi – “Adoleshentët e prekur nga çrregullimet e depresionit shpesh flasin, mendojnë ose edhe tentojnë të vetëvriten”
Numri i adoleshentëve të prekur nga depresioni po rritet dita-ditës duke u shndërruar në një problem mjaft shqetësues për shoqërinë.
Sipas specialistes së shëndetit mendor në ISHP, Oriola Pampuri 1 në 5 adoleshentë trajtohet si pasojë e depresionit. Mirëpo, depresioni te adoleshentët sjell një sërë pasojash negative, kryesisht rritje të kriminalitetit ose edhe të përdorimit të drogës.
“Numri i adoleshentëve të prekur nga depresioni aktualisht është në rritje ose ne po njihemi gjithnjë e më shumë me simptomat e tij. Gjithsesi, faktet tregojnë se depresioni prek adoleshentët më shumë nga çfarë mund të mendohet. Megjithatë, depresioni është i kurueshëm. Ekspertët pohojnë se 1 në 5 adoleshentë marrin ndihmë, për një shqetësim të tillë. Personat e rritur, me të cilët adoleshentët janë më shumë në kontakt janë mësuesit dhe prindërit ose të afërm të tjerë që kujdesen për to, kështu që është e udhës, që këta persona të kenë njohuritë bazë rreth simptomave të depresionit, me qëllim për t’iu gjendur pranë, e për t’i adresuar në vendin dhe kohën e duhur”, thekson specialistja e Institutit të Shëndetit Publik.
Veç kësaj, Pampuri pohon se në Shqipëri mungojnë të dhëna të sakta në lidhje me adoleshentët e prekur nga depresioni, por shton se në vendet e zhvilluara 11 për qind e tyre janë të prekur nga kjo sëmundje. Mirëpo, shprehet se depresioni nis që në fëmijëri, për t’u zhvilluar në përmasa të frikshme gjatë periudhës së adoleshencës.
Sipas Pamurit, ai mund të shkatërrojë thelbin e personalitetit të një adoleshenti, duke shkaktuar dëshpërim ose edhe acarim. Depresioni është edhe një shkaktar që çon drejt krimit dhe këta persona janë më të predispozuar për t’u bërë pjesë e akteve të tilla.
“Adoleshentët e prekur nga çrregullimet e depresionit shpesh flasin, mendojnë apo edhe tentojnë të vetëvriten. Por, një pjesë e mirë e tentativave për vetëvrasje tek adoleshentët kanë një fund të hidhur. Kjo duhet të jetë një shtysë shumë e fortë që mendimet dhe sjelljet vetëvrasëse të tyre t’i marrim në konsideratë. Për pjesën më të madhe të adoleshentëve që tentojnë të vetëvriten depresioni dhe çrregullimet e tjera mendore janë faktorët kryesorë. Për adoleshentët nën depresion, të cilët janë përdorues të alkoolit ose të drogës, rreziku është më i lartë”, tha Pampuri.
Specialistja rendit disa nga shenjat kryesore të depresionit.
“Ndjesi e të qenët i pashpresë, irritim, të qara të vazhdueshme, mbyllje në vetvete, humbje interesi për aktivitete që u përkasin moshës së tyre, pamundësi për të pushuar ndihen të pavlerë dhe fajtorë pa shkak, mungesë entuziazmi dhe motivimi, pafuqi, vështirësi në përqendrim; mendime për vetëvrasje ose edhe për vdekjen, çrregullime të të ngrënit dhe ushqyerjes”, shpjegon specialistja e ISHP-së.
Ajo thekson se veç kësaj, adoleshenca cilësohet si një periudhë e trazuar dhe shpeshherë nuk dallohet depresioni në këtë moshë, duke ia lënë fajin periudhës së pubertetit dhe ndryshimeve dinamike që ndodhin në adoleshencë.
“Adoleshentët përballen shpesh me presionin psikologjik që shkaktojnë tek ata ndryshimet fizike dhe psikologjike si pasojë e pubertetit, përballen me faktin dhe me pikëpyetjen e madhe: ‘Kush janë dhe ku do të shkojnë’, pra me krizën e identitetit.
Kalimi nga periudha fëmijërisë në adoleshencë i vendos ata përballë një konflikti të vazhdueshëm mes tyre dhe prindërve. Nga e gjithë kjo dramë është disi e vështirë të identifikosh depresionin dhe të dallosh nëse është ai apo një gjendje normale e kësaj moshe ajo me të cilën po përballen fëmijët tanë”, sqaron Pampuri.
Megjithatë, sipas specialistes, jo të gjithë adoleshentët që janë nën depresion shfaqen të mërzitur, të tërhequr ose të mbyllur në vetvete. Mësohet se për disa adoleshentë të depresuar reagojnë më ashpër, me simptoma si: Irritim ose agresion, që janë tepër të dukshme.
/Gazeta-Shqip