HIV-i dhe stigma

Në Shqipëri, megjithëse ka përmirësime në trajtimin dhe ndërgjegjësimin për HIV-in, sfidat vazhdojnë. 119 rastet e reja të raportuara nga Instituti i Shëndetit Publik për këtë vit deri në muajin nëntor, janë një kujtesë e rëndësisë së testimit të hershëm dhe edukimit. Ashtu siç katër fëmijët e lindur me këtë virus tregojnë nevojën urgjente për mbështetje të grave shtatzëna që jetojnë me HIV.
HIV-i (Virusi i Imunodeficiencës Njerëzore) është për shumë njerëz një temë që sjell frikë dhe paragjykime. Në vitin 2024, është koha të flasim hapur e me fakte, për të informuar mbi këtë çështje. Në Shqipëri, këtë vit janë raportuar 119 raste të reja, përfshirë katër fëmijë që e morën virusin nga nënat e tyre. Është e rëndësishme të kuptojmë realitetin e HIV-it për të thyer paragjykimet dhe për të mbështetur ata që jetojnë me të.
Shpesh stigma buron nga frika dhe mungesa e informacionit si dhe e disa miteve të shpërndara ndër vite. E vërteta është që:
- HIV-i nuk përhapet përmes kontakteve të përditshme. Ai nuk transmetohet me përqafime, shtrëngim duarsh apo duke ndarë ushqimin me dikë me HIV.
- Të jetosh me HIV nuk do të thotë që ke dështuar moralisht. Ky virus është një gjendje shëndetësore dhe ata që preken prej tij, meritojnë dashuri dhe respekt.
- HIV-i prek të gjithë. Ai nuk njeh kufij gjinorë, orientim seksual apo status socio-ekonomik.
HIV-i nuk është fundi i jetës. Falë përparimeve të mëdha në mjekësi, ai është një gjendje kronike që mund të menaxhohet. Njerëzit që jetojnë me HIV, nëse trajtohen rregullisht, mund të kenë jetë të gjatë dhe të shëndetshme. Diagnostikimi i hershëm dhe terapia antiretrovirale (ART) janë çelësi i këtij suksesi. Kur virusi arrin nivele të pamatshme në trup, ai nuk mund të transmetohet.
Cilat janë përparimet mjekësore deri më sot
Mjekësia ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në trajtimin dhe parandalimin e HIV-it, por duhen bërë shumë përpjekje nga ana e qeverisë, që qytetarët shqiptarë të kenë akses në të njëjtin trajtim si të gjithë njerëzit e tjerë që jetojnë me këtë virus anembanë botës:
- Terapia Antiretrovirale (ART): Një tabletë në ditë mund të mbajë virusin nën kontroll dhe të përmirësojë cilësinë e jetës.
- Parandalimi i Transmetimit nga Nëna te Fëmija: Trajtimet gjatë shtatzënisë dhe lindjes kanë zvogëluar ndjeshëm rrezikun e transmetimit nga nëna te fëmija deri në 2%.
- PrEP dhe PEP: PrEP (Profilaksia Para-Ekspozimit) dhe PEP (Profilaksia Pas-Ekspozimit) janë masa efektive për të parandaluar infektimin.
Të tërë duhet të ndihmojmë duke u informuar dhe duke e shpërndarë informacionin, rreth fakteve për HIV-in dhe ti ndajmë ato për të luftuar diskriminimin dhe frikën, duke inkurajojuar njerëzit të bëjnë testime të rregullta dhe të përdorin masat parandaluese si dhe të sfidojmë çdo koment diskriminues dhe të mbështesim ata që jetojnë me HIV.
HIV-i nuk përcakton askënd. Ai është vetëm një pjesë e historisë së tyre, jo e gjithë historia. Njerëzit që jetojnë me HIV janë të fortë, të guximshëm dhe plot jetë.
Bashkë, mund të thyejmë stigmën, të festojmë forcën e tyre dhe të krijojmë një shoqëri ku çdo person që jeton me HIV ndihet i pranuar dhe i mbështetur.