Java Europiane e Vaksinimit – “Parandaloni! Mbroni! Vaksinoni!”
Ditën e sotme nisi java Europiane e Vaksinimit. Kjo është një iniciativë e vendeve europiane, e cila trajton probleme që lidhen me vaksinimin.
Fokusi këtë vit është në nevojën për rinovimin e angazhimeve ndaj imunizimit në nivel politik, profesional dhe personal. Gjatë kësaj jave, vendet e rajonit bashkohen në slloganin – Parandaloni! Mbroni! Vaksinoni! – dhe zhvillojnë aktivitete për të informuar dhe angazhuar personat përgjegjës në sfidat në lidhje me imunizimin.
Kjo iniciativë ka për qëllim të sigurojë vaksinimin universal dhe ndërgjegjësimin për të rritur suksesin e programeve të imunizimit, duke përfshirë të gjithë individët sidomos ata që nuk janë vaksinuar apo nuk kanë marrë të gjitha vaksinat e duhura.
Vaksinimi shpëton më shumë jetë se çdo ndërhyrje tjetër në shëndet publik, e megjithatë ende gjatë viteve te fundit u shfaqën 31 685 raste me fruth në Europë, një rritje kjo 348 herë më shumë krahasuar me vitin 2007. Kosto e këtyre shpërthimeve epidemike si në njerëz ashtu dhe në vlera monetare është shumë e lartë.
Në një konferencë në kuadër të javës së Vaksinimit, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, tha:
“Vaksinimi është një e drejtë themelore e fëmijëve, dhe si e tillë, prindërit kanë përgjegjësinë ta realizojnë atë ndërsa institucionet e sistemit të kujdesit shëndetësor kanë detyrim t’ua ofrojnë dhe të krijojnë kushtet që ky shërbim të ofrohet kudo dhe të jetë i sigurt, pavarësisht kushteve social-ekonomike dhe venbanimit të tyre.”
Që nga vitit 2000 janë shtuar 5 vaksina të reja si dhe vaksina të kombinuara dhe është përmirësuar sistemi i rujajtjes dhe transportit të vaksinave në çdo cep të vendit.
Vendi ynë ka marrë pjesë çdo vit në këtë iniciativë duke organizuar aktivitete të ndryshme, përgjatë 10 viteve.
/ATSH