Kopshtet ne Tirane: Femijet flene pertoke, nuk ka shtreter
Panorama e përgjithshme e kopshteve publike në kryeqytet paraqitet tepër problematike. Kjo, për shkak se pjesa më e madhe e tyre nuk ofron kapacitetet e nevojshme për përballimin e fluksit të të regjistruarve. Pa përjashtuar abuzimet e disa prej drejtuesve apo stafit të edukatorëve, në këto institucione parashkollore në Tiranë, të cilët përkundrejt parave regjistrojnë fëmijë, mbi kushtet fizike që ofron një kopsht i caktuar, duke shkelur udhëzimin e autoriteteve arsimore për regjistrimet në këto institucione. Problematikë e mbartur në vite, e pranishme edhe sot, është mungesa e shtretërve. Një fakt skandaloz që cenon mirërritjen dhe veprimtarinë mësimore-edukative të fëmijëve në disa kopshte publike në kryeqytet. Edhe pse prindërit paguajnë për çdo muaj para për të dërguar fëmijët në kopshte, të vegjlit flenë në dyshekë të vendosur në pllaka ose në rastet kur ka shtretër, flenë në grup edhe pse jo të gjithëve u takon të shtrijnë kockat. Të dhënat pohohen edhe nga vetë Ministria e Arsimit, e cila disponon fakte konkrete të situatës problematike në disa kopshte publike të kryeqytetit, ku mungojnë shtretërit ose ka mbingarkesë të numrit të fëmijëve të regjistruar. “Kopshti numër 29 ka bërë vetëm 26 regjistrime të reja. Në kopshtin 29, fëmijët flenë në dyshekë mbi tapet në dhomat e posaçme për pushimin e drekës, pasi kopshti nuk ka krevate për fjetjen e fëmijëve. Në dy kopshtet e tjera, përkatësisht në kopshtin numër 1 dhe numër 24 ka krevate për grup që nuk mbulon fjetjen e të gjithë fëmijëve të grupit. Po e njëjta situatë është edhe në kopshtin numër 51, që për arsye të mbingarkesës së fëmijëve në grupe nuk mbulohet fjetja e të gjithë fëmijëve”, sqarohet në një relacion të përgatitur nga Drejtoria Arsimore Tiranë, për dijeni të Ministrisë së Arsimit, mbi problematikën aktuale të 4 kopshteve publike në kryeqytet, nga 43 të tilla në gjithë Tiranën. Referuar dokumentit që disponon gazeta “Shqip”, 4 kopshte janë në proces rikonstruksioni, për rrjedhojë janë transferuar në institucione të tjera parashkollore, sipas vendndodhjes së secilit prej tyre.
“Kopshtet publike të Tiranës kanë regjistruar më shumë se kapacitetet normale, kjo si pasojë e kërkesave gjithmonë e në rritje për frekuentimin e kopshteve publike. Në qytetin e Tiranës ushtrojnë aktivitetin e tyre 43 kopshte publike. Ndër to 4 janë në proces rikonstruksioni, përkatësisht kopshti numër 29, i cili është akomoduar në një grup të kopshtit 20; kopshti numër 41, që qëndron në një grup të kopshtit numër 24; kopshti numër 21 në Kombinat, i cili qëndron në kopshtin numër 27 po në këtë zonë; ndërsa kopshti numër 17 është në proces rikonstruksioni prej rreth dy vjetësh. Fëmijët e këtij kopshti janë akomoduar në dy kopshte pranë vendndodhjes së tij, kopshti numër 52 dhe kopshti numër 43 në mënyrë që të mos cenohet mirërritja dhe veprimtaria mësimore-edukative e fëmijëve të kopshtit”, sqarohet në një relacion të përgatitur nga Drejtoria Arsimore në Tiranë. Sipas tij, drejtuesit e kopshteve kanë bërë regjistrime, në përputhje me nevojat reale që ka kopshti për regjistrim, pa asnjë urdhër nga DAR, Tiranë. Ndryshe nga vitet e mëparshme, procedurat për të regjistruar një fëmijë në kopsht janë përqendruar në drejtoritë e kopshteve. Prindërit, përveç dokumentacionit përkatës kanë bërë edhe një kërkesë me shkrim për numrin e kopshtit ku kanë zgjedhur të regjistrojnë fëmijët e tyre, i cili, si rregull duhet të korrespondonte me patjetër me vendbanimin.
Marrë nga gazeta-shqip.com