Marka e veshjeve “H&M” kërkon falje për reklamën diskriminuese
Foto: “H&M” në Suedi / Twitter
Linja me famë botërore e veshjeve “H&M” ka sjellur polemika të ndryshme pas lançimit të linjës së veshjeve për fëmijë. Fotoja që nxiti “zhurmën”e madhe ishte ajo e një djali të vogël me ngjyrë ku reklamohej bluza me kapuç, në të cilën shkruhej “majmuni më i lezetshëm i xhunglës”.
Fotoja erdhi në vëmendje nga disa përdorues të rrjetetve sociale si përshembull blogerja Stephanie Yeboah, e cila e ndau foton me ndjekësit e saj duke shprehur shqetësim.
Dyqani i “H&M””me qendër në Suedi, përgjegjës për këtë foto kërkoi falje publikisht për atë çfarë shumë persona e quajtën “ndërlidhje ofenduese midis modelit të ri në foto dhe thënieve poshtëruese ndaj personave me ngjyrë”.
Në faljen publike kompania e veshjeve shkruan: “Ky imazh është hequr nga të gjitha filialet e H&M dhe kërkojmë falje nëse imazhi mund të ketë ofenduar dikë”.
Muzikanti i famshëm amerikan “The Weeknd” reagoi ashpër ndaj linjës së veshjeve duke shkruar në llogarinë e tij personale në Twitter: “U zgjova këtë mëngjes dhe rastisa këtë foto të tmerrshme. Jam thellësisht i ofenduar nga kjo foto dhe do ta ndërpres bashkëpunimin me këtë linjë”.
Organizata britanike “Models for Diversity, e cila lobon për nxitjen e gjithëpërfshirjes në agjensitë e modelingut, ishte një prej grupeve të shumta që shtroi pyetjen se si ka mundësi që fotoja iu ka shpëtuar filtrave të punonjësve në skuadrat e marketingut për linjën e veshjes në fjalë./k.m/
Burimi: Daily News